Organet komunale të Prizrenit kanë rishqyrtuar Rregulloren për taksat komunale bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Harmonizimi i këtij akti me legjislacionin në fuqi në seancën e fundit të Kuvendit të Komunës së Prizrenit është miratuar njëzëri nga anëtarët e pranishëm, të cilët nuk kanë diskutuar më rreth përmbajtjes së këtij akti.
Vetëm drejtori i Administratës, Osman Hajdari ka sqaruar se Grupi Punues për draftimin e kësaj rregulloreje pas pranimit të shkresës nga grupi ndërministror ka konstatuar se lëshimet në këtë akt janë kryesisht të natyrës teknike. Sipas tij janë mbajtur disa mbledhje të grupit punues, me ç’rast rregullorja është harmonizuar me rekomandimet e ministrive.
“Të gjitha komentet që ministritë e ndryshme i kanë dhënë për rregulloren janë teknike... Aktin që e keni përpara është i korrigjuar bazuar në komentet dhe kërkesat e ministrive”, ka thënë Hajdari para kuvendarëve, duke bërë thirrje për miratimin e tij.
Në të njëjtën kohë ka sqaruar se Rregullorja në vete përfshin tri elemente kryesore, siç janë: heqja e taksës vjetore për ushtrimin e veprimtarisë afariste; pezullimin e të gjitha procedurave pa bazë ligjore; si dhe uljen e taksave të procedurave të ndryshme administrative të cilat Komuna e Prizrenit i zhvillon.
“Kjo rregullore kursen barrën administrative të qytetarëve. Gjithashtu kompleton aspektin ligjor të gjitha shërbimeve dhe procedurave administrative në nivel komune”, ka deklaruar ai.
Pas këtyre sqarimeve, meqë asnjë kuvendar nuk është paraqitur për diskutim, kryesuesi i KK-së, Sulltan Badalli e ka vënë në votim, duke konstatuar aprovimin në mënyrë unanime.
Ndërkaq kryetari i Komunës së Prizrenit, gjatë një ceremonie për përmbylljen e reformave administrative dhe lansimit të regjistrit elektronik për procedurat administrative në Komunën e Prizrenit ka vlerësuar punën në hartimin e rregullores së re për taksa, që sipas tij ndër të tjera mundëson heqjen e “të gjitha taksave komunale ndaj bizneseve”. “Bizneset më nuk kanë obligime të tilla, të cilat janë aplikuar në të kaluarën në komunë”, ka thënë Haskuka.
Rregullorja për taksa komunale e miratuar nga Kuvendi i Komunës së Prizrenit më 1 korrik të këtij viti, një muaj më pas ishte vlerësuar si e kundërligjshme nga Qeveria e Kosovës. Komisioni ndërministror pati theksuar se disa prej dispozitave të këtij akti nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi. "Komisioni ndërministror, pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të komunës si më sipër, vlerëson se akti i komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi", thuhej në shkresën e MAPL-së, ku në vijim janë listuar hollësitë lidhur me dispozitat ligjore me të cilat akti i komunës ishte në kundërshtim.
Bazuar në këto vlerësime, Komisioni Ndërministror pati kërkuar nga KK-ja dhe kryetari i Komunës që të ndërmarrin veprime konkrete që aktin e komunës ta harmonizojnë me dispozitat ligjore në fuqi, brenda afatit 30 ditësh.
Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit në verën e këtij viti me shumicë votash patën miratuar Rregulloren për Taksa Komunale. Sipas Ekzekutivit që pati propozuar shqyrtimin dhe miratimin e kësaj rregulloreje, qëllimi i këtij akti komunal është përcaktimi i aktiviteteve, të cilat i nënshtrohen taksës komunale, lartësinë e taksave komunale, përcaktimin e kategorive të liruara nga kjo taksë si dhe përcaktimin e kundërvajtjeve dhe sanksioneve kundërvajtëse për shkeljet e dispozitave të saj.