“Komisioni ndërministror, pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të komunës si më sipër, vlerëson se akti i komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, thuhet në shkresën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dërguar kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, dhe kryesuesit të KK-së, Sulltan Badallaj
Rregullorja e re për taksa komunale e miratuar nga Kuvendi i Komunës së Prizrenit është vlerësuar i kundërligjshëm nga niveli qendror. Komisioni ndërministror ka vlerësuar se disa prej dispozitave të këtij akti nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Në shkresën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dërguar në adresë të kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, dhe kryesuesit të KK-së, Sulltan Badallaj, bëhet e ditur se niveli qendror ka pranuar për shqyrtim të detyrueshëm të ligjshmërisë së Rregullores për taksa komunale, të miratuar më 1 korrik 2021.
“Komisioni ndërministror, pas shqyrtimit të përmbajtjes së aktit të komunës si më sipër, vlerëson se akti i komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi”, thuhet në shkresë.
Tutje janë dhënë hollësi lidhur me dispozitat ligjore me të cilat akti i komunës është në kundërshtim.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka bërë të ditur se "taksat e përcaktuara me Rregulloren komunale të Prizrenit, janë të njëjtat me ato të vitit 2013, të cilat janë përcaktuar konform Udhëzimit Administrativ nr.22/2021 mbi taksat administrative për lëshimin e lejes së ndërtimit dhe tarifat për rregullimin e infrastrukturës, i cili është shfuqizuar në maj 2018". "Me hyrjen në fuqi të Udhëzimit Administrativ nr.02/2018 për taksat administrative për leje ndërtimore, leje rrënimi dhe tarifat për rregullimin e infrastrukturës, komunat janë të obliguara që caktimin e taksave ta bëjnë konform tij. Para miratimit të rregullores komunale për taksat, Komuna, paraprakisht duhet të marrë pëlqimin nga ana e MMPHI-së, për mënyrën e llogaritjes së taksave. Neni 25, 26, 27, 28 dhe 29, duhet të rishikohen dhe të jenë në harmoni me Ligjin për ndërtim dhe UA nr.02.2018”, thuhet në këtë shkresë.
Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka dhënë vërejtje lidhur me emërtimet e 9 dokumenteve të gjendjes civile në Rregulloren për taksa komunale, sikurse që ka propozuar që Komuna të ketë një format të rregulloreve dhe të unifikohen taksat për lëshimin e dokumenteve të gjendjes civile për aq sa është e mundur.
Kjo ministri përkatësisht AME-ja ka vlerësuar se neni 44 i kësaj rregulloreje nuk është në pajtim me Ligjin për mbrojtje nga zjarri. “Sipas ligjit për mbrojtje nga zjarri, AME-ja është kompetente për zbatimin e masave për mbrojtje nga zjarri, dhe të gjitha dokumentet në këtë lëmi lëshohen nga AME”, thuhet në këtë shkresë.
Ndërkaq Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se neni 35 pika 22 deri 35 nuk është harmonizuar me UA 04/2007 Mbledhja dhe shfrytëzimi i mjeteve nga bashkëpagesat e shfrytëzuara të shërbimeve shëndetësore dhe të hyrave vetanake të institucioneve shëndetësore si dhe me UA 04/2020 Kujdesi Parësor Shëndetësor.
“Për drejtoritë komunale për Shëndetësi dhe institucionet shëndetësore të nivelit parësor, për shërbime shëndetësore në kujdesin parësor shëndetësor vlejnë dispozitat e UA 04/2020 Kujdesi Parësor Shëndetësor”, thuhet në shkresën e dërguar nga MAPL-ja.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se në nenin 24 të aktit komunal, Komuna ka trajtuar “tarifat dhe ngarkesat e përgjithshme”, ku në paragrafin 24.23.1 është paraparë edhe “Regjistrimi i barrës në tatim mbi pronën e paluajtshme”. "Ky lloj i barrës, i paraparë me Ligjin nr.03/L-204 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme nuk është obligim ligjor dhe me hyrjen në fuqi të Ligjit nr.06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme ka pushuar së ekzistuari. Në rrjedhën e kësaj, paragrafi i sipërpërmendur, së bashku me pikën 99 të shtojcës nr.2 të aktit administrativ që është subjekt i shqyrtimit, janë në kundërshtim me Ligjin nr.06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme”, thuhet në shkresë.
Ndërkaq Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka theksuar se Komuna e Prizrenit nuk i ka përfshirë taksat vjetore për shfrytëzimin e kullotave në pyje dhe toka pyjore publike sipas dispozitave përkatëse të legjislacionit në fuqi.
Bazuar në këto vlerësime, Komisioni Ndërministror ka kërkuar nga KK-ja dhe kryetari i Komunës që të ndërmarrin veprime konkrete që aktin e komunës ta harmonizojnë me dispozitat ligjore në fuqi, brenda afatit 30 ditësh.
Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit në seancën e mbajtur më 1 korrik të këtij viti me shumicë votash patën miratuar Rregulloren e re për taksa komunale. Sipas ekzekutivit, që ka propozuar shqyrtimin dhe miratimin e kësaj rregulloreje, qëllimi i këtij akti komunal është përcaktimi i aktiviteteve, të cilat i nënshtrohen taksës komunale, lartësinë e taksave komunale, përcaktimin e kategorive të liruara nga kjo taksë si dhe përcaktimin e kundërvajtjeve dhe sanksioneve kundërvajtëse për shkeljet e dispozitave të saj.