Arbëri

Gastronomët e Prizrenit i kërkojnë benefitet e kohës së pandemisë

Me qëllim të përballimit më të lehtë të pasojave të pandemisë dhe të krizës së çmimeve, komuniteti i gastronomëve të Prizrenit ka adresuar një kërkesë tek organet komunale për lirimin nga taksat për shfrytëzimin e hapësirës publike komunale. Disponimi i deritanishëm i qeverisë komunale ka qenë kundër lirimit nga kjo pagesë. Mirëpo ende nuk është marrë ndonjë vendim nga organet përgjegjëse për këtë çështje

Gastronomët e Prizrenit, nëpërmjet një kërkese drejtuar organeve komunale, kanë kërkuar që të lirohen edhe sivjet nga pagesa e paraparë për shfrytëzimin e hapësirës publike.

Sipas tyre, pasojat financiare të pandemisë kanë qenë të rënda, ashtu si edhe kriza e çmimeve, duke kërkuar lehtësim për këto arsye.

Zyrtarët komunalë nuk janë pajtuar me gastronomët, duke shprehur qëndrimin se këto biznese po operojnë tani me kapacitete të plota. Por vendimi për këtë çështje ende nuk është marrë.

Ilir Shala nga komuniteti i gastronomëve të Prizrenit ka theksuar se nga organet komunale është kërkuar mirëkuptim për këtë kërkesë, meqë kësisoj mund të ndihmohen bizneset që të kthehen drejt normalitetit e likuiditetit të duhur.

“Arsyeja e kësaj është që pandemia na ka përcjellë me humbje të mëdha dhe me grumbullim të tatimeve, të kredive, të të gjithave. Kemi shumë biznese që ende përballen me mospagesë të rregullt të të gjitha atyre obligimeve që janë grumbulluar gjatë asaj kohe”, ka thënë Shala.

e Komunës së Prizrenit, Jona Hoxhaj, ka pohuar se kërkesa e gastronomëve është diskutuar në mbledhjen e fundit të qeverisë komunale dhe se ende nuk është marrë ndonjë vendim. Sipas saj, nuk ka pasur ndonjë disponim për lirimin e gastronomëve nga kjo pagesë, meqë aktiviteti i tyre tani është i plotë dhe se po mbështeten nga Komuna me organizime të ndryshme kulturore e turistike.

“Por që në të njëjtën kohë edhe ne për ta pasur mundësinë e organizimit duhet të kemi të hyra. Kështu që këto të hyra, të cilat ne i marrim nga pagesa e shfrytëzimit të hapësirave publike, realisht na mundësojnë që ne të kemi performancë më të mirë, është një zinxhir i cili është i rëndësishëm të mos shkëputet askund, për të pasur performancë të mirë të gjithë së bashku dhe të ngremë mirëqenien e qytetarëve dhe të kemi një jetesë më të mirë për ta”, u shpreh Hoxhaj.

Megjithëkëtë, gastronomët besojnë se lirimi nga kjo pagesë do të kishte ndikim pozitiv në zhvillimin ekonomik lokal.

"U bëjmë thirrje kryetarit dhe të gjithë asamblistëve, ne jemi gastronomë të këtij qyteti, ne i përgjigjemi këtij qyteti dhe besoj që së bashku do ta ngremë zhvillimin e qytetit, turizmin në këtë qytet, që t'ia kthejmë namin, ashtu qysh ka qenë dhe qysh është Prizreni dhe qysh pretendojmë ta shohim”, ka shtuar gastronomi Ilir Shala.

Kuvendi i Prizrenit, në përbërjen e kaluar, pati vendosur për lirimin nga pagesa e shfrytëzimit të hapësirës publike komunale, për periudhën janar-shkurt dhe shtator-dhjetor 2020, si dhe për tërë vitin 2021, shkaku i situatës me COVID-19.