Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nis aksioni i lirimit të hapësirave të gjelbra në lagjen “Ortakoll” të Prizrenit

Nëpërmjet Inspektoratit, Komuna e Prizrenit ka filluar të enjten aksionin për lirimin e hapësirave të gjelbra në lagjen “Ortakoll”, të cilat prej kohësh shfrytëzohen në mënyrë të paautorizuar. Disa gastronomë janë ankuar se nuk ka barazi në trajtim të bizneseve. E zyrtarët komunalë kanë theksuar se aksioni do të zbatohet deri në lirimin e të gjitha hapësirave të gjelbra

Drejtoria e Inspektoratit e Komunës së Prizrenit të enjten ka ndërmarrë veprime për lirimin e hapësirave të gjelbra në lagjen “Ortakoll”, të cilat prej kohësh janë shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar.

Zyrtarët e këtij dikasteri kanë theksuar se aksioni do të zbatohet deri në lirimin e të gjitha hapësirave të gjelbra. Por në mesin e gastronomëve që veprojnë në këtë lagje janë adresuar shqetësime se organet komunale po aplikojnë standarde të dyfishta lidhur me lirimin e hapësirave publike.

Gastronomi Mahmut Sezer është ankuar rreth sjelljes së inspektorëve komunalë. Ai ka theksuar se tavolinat dhe karriget i ka larguar nga hapësira e gjelbër sipas afatit të përcaktuar dhe ka shtuar se të enjten pa nevojë i janë shkatërruar lulet nga Inspektorati. Njëherësh ka kërkuar trajtim të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë.

“Nëse ka një rregull, unë i pari e zbatoj, s'ka problem. Por derisa unë e zbatoj rregullin, X kafeja nuk e zbaton. Përse prej meje kërkohet lirimi i hapësirës së gjelbër, ndërsa në X kafenenë nuk bëhet e njëjta. Ky është shqetësimi im. Shteti ka të drejtë dhe nuk kemi ankesë, por rregulli a vlen vetëm për këtë kafene, apo për të gjitha kafenetë. Këtë dua ta mësoj nga zyrtarët”, ka thënë afaristi nga Turqia.

Rahim Destani, udhëheqës i sektorit për inspektime komunale, ka bërë të ditur se aksioni ka për qëllim lirimin e hapësirave publike në lagjen “Ortakoll” nga pengesat e ndryshme dhe se do të zhvillohet në tërë lagjen. Ai ka thënë se nga bizneset është kërkuar që këto hapësira të lirohen deri më datën 12 korrik.

Edhe Inspektorati i Prizrenit sërish me aksion për lirimin e hapësirave publike në “Ortakoll” Arbëri Inspektorati i Prizrenit sërish me aksion për lirimin e hapësirave publike në “Ortakoll”

“Mirëpo edhe dy ditë ne i kemi njoftuar dhe kemi kërkuar përsëri që t’i largojnë vullnetarisht. Ata që nuk dëgjojnë, nuk i largojnë vullnetarisht, atëherë Inspektorati është i detyruar që përmes operatorit ekonomik të kontraktuar nga Komuna e Prizrenit ta bëjnë largimin e këtyre pengesave që janë të vendosura në hapësirat publike”, ka deklaruar zyrtari komunal.

Komuna e Prizrenit është në proces të krijimit të një rregulloreje për mënyrën e shfrytëzimit të hapësirës publike në qytet dhe në Zonën Historike, me të cilën do të përcaktohen kriteret themelore për lejimin e vendosjes së objekteve të përkohshme në sipërfaqet publike, si dhe tarifat përkatëse.