Kërkesa e komunitetit të gastronomëve të Prizrenit për lirim nga pagesa e taksave për shfrytëzimin e hapësirës publike është proceduar për shqyrtim në organin më të lartë vendimmarrës komunal.
Në mbledhjen e Komitetit për Politikë e Financa, me iniciativën e opozitës, është arritur pajtimi që për këtë çështje të vendosin kuvendarët në seancën e caktuar për 30 qershor 2022.
Dafina Alishani nga Lëvizja Vetëvendosje ka pohuar se kërkesa e gastronomëve është dërguar te kryetari, nënkryetari dhe kryesuesja e Kuvendit, dhe në mungesë të ndonjë përgjigjeje, ata kanë vendosur që këtë çështje ta shtyjnë përpara, meqë kanë nevojë për mbështetje.
“Andaj, kemi vlerësuar se është tejet me rëndësi t’i japim një shtytje sidomos në këtë periudhë të rimëkëmbjes pas këtyre masave dhe pas kalimit të një periudhe goxha të vështirë për bizneset. Po ashtu, mendojmë se sa më aktiv dhe sa më mirë që mund të operojnë bizneset aty, aq më mirë është edhe jeta kulturore, por edhe turizmi në Shadërvan, kryesisht", tha Alishani.
Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi, ka mbështetur procedimin e kërkesës për në Kuvend.
“Mendoj që faza e rëndë për gastronomët dhe për të gjitha kategoritë e bizneseve ka kaluar. Por sido që të jetë, ata e kanë një arsyetim dhe i japin qëndrimet e veta se kanë dalë nga një fazë e rëndë dhe u duhet edhe këtë vit, derisa të stabilizohen. Edhe në parim jemi në rregull. Përndryshe, qëndrimet e mia personale nuk përkojnë me këto kërkesa, për shkak se institucionet duhet me pasë burime stabile të të hyrave, megjithatë në parim jemi për”, tha Gashi.
Ndërsa kryesuesja e Kuvendit, Antigona Bytyqi, ka pohuar se bazuar në kërkesën e gastronomëve, kuvendarëve do t’iu prezantohet një propozim- vendim nga Drejtoria e Financave.
“Natyrisht, tash nga Drejtoria e Financave do të përgatitet një propozim-vendim. Pastaj do të shohim nenet se çka parashohin, edhe propozimi do të vjen i përgatitur nga Drejtoria e Financave, që është tamam dikasteri i cili merret me këtë çështje”, tha Bytyqi.
Me qëllim të përballimit më të lehtë të pasojave të pandemisë dhe të krizës së çmimeve, komuniteti i gastronomëve të Prizrenit nga organet komunale ka kërkuar lirimin nga taksat për shfrytëzimin e hapësirës publike komunale ngjashëm si në vitet 2020 dhe 2021.