Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive është specifikuar se asnjë subjekt i komuniteteve nuk mund ta bllokojë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, edhe nëse refuzon të propozojë emrin e ndonjë deputeti për nënkryetar.
Në pikën 148 të vendimit, Gjykata ka konstatuar se Kuvendit i mundësohet të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin prej anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit, me kushtin që Kryesia të ketë kuorum.
Teksa ka konstatuar se deputetët nuk kanë konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e një nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, Gjykata ka thënë se “në rastet kur e drejta kushtetuese në procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit gjatë konstituimit të Kuvendit nuk ushtrohet nga deputetët apo grupet parlamentare, që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të Kryesisë së Kuvendit, qofshin ato nga komuniteti shumicë apo nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilat mund të manifestohen në pengimin e këtij procesi, apo në rastet kur, përkundër vullnetit të shumicës së deputetëve për të zgjedhur anëtarin e Kryesisë, Kuvendit i pamundësohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së saj, Kuvendi përjashtimisht, do të mund të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, me kushtin që Kryesia e Kuvendit të ketë kuorum në vendimmarrjen e saj në përputhje me paragrafin 3 të nenit 20 (Mbledhja e Kryesisë) të Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton se: ‘Vendimi i Kryesisë merret me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje’”.
Megjithatë Kushtetuesja ka theksuar se në rastin konkret dështimi për konstituim i atribuohet mosvotimit të shumicës së deputetëve të zgjedhur të Kuvendit për deputetët e propozuar.
Në rastet e deritashme nuk kanë votuar deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe ata të Listës Serbe. Në disa raste nuk kanë marrë pjesë në votim as deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Me vendimin e publikuar të mërkurën, Gjykata ka urdhëruar të gjithë deputetët që të votojnë qoftë pro, kundër apo abstenim.
Vendimi ka theksuar po ashtu se edhe votimi për nënkryetar duhet të bëhet vetëm deri në tri raste për kandidatin e njëjtë.
Më 28 gusht, kryeparlamentari Dimal Basha shpalli të konstituuar Kuvendin e Kosovës pavarësisht moszgjedhjes së një deputeti serb për nënkryetar.
Lista Serbe, si subjekti më i madh nga radhët e komunitetit serb, dështoi në propozimin për Sllavko Simiqin në tri runde. E pas kësaj, Basha me short mundësoi votimin për çdo deputet të këtij grupi e edhe për deputetin jo të Listës Serbe, Nenad Rashiqin. Por as ai nuk mori votat e mjaftueshme.
Lista Serbe u ankua në Kushtetuese edhe për ndarjen e procesit të votimit prej nënkryetarit të komuniteteve tjera joshumicë. Por Gjykata konstatoi se nuk ka pasur shkelje në ndarjen e procesit.
