Arbëri

Kushtetuesja: Lejohet votimi ndaras për nënkryetarët e Kuvendit, konstituimi i obliguar për 12 ditë

Kushtetuesja

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë për çështjen e seancës konstituive, pas ankesës së Listës Serbe për moszgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb.

Kushtetuesja ka konstatuar që me moszgjedhjen e një nënkryetari nga ky komunitet nuk është konstituuar Kuvendi. Megjithatë, procedura e ndjekur në procesin e deritashëm me votimin jo në pako me nënkryetarin e komuniteteve tjera joshumicë, nuk përbën shkelje. Sipas Kushtetueses, deputetët mund të vendosin në vullnetin e tyre për procedurën e votimit në pako apo ndaras.

Në aktgjykim është thënë se edhe votimi i secilit deputet serb me nga tri runde votimesh nuk ka qenë shkelje.

Aty është konstatuar edhe se Emilja Rexhepi është zgjedhur në mënyrë të duhur nënkryetare e Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë joserbe.

Aktgjykimi i publikuar të mërkurën (8 tetor) i obligon deputetët që të zgjedhin një nënkryetar nga komuniteti serb brenda 12 ditësh.

Më 28 gusht, kryeparlamentari Dimal Basha shpalli të konstituuar Kuvendin e Kosovës pavarësisht moszgjedhjes së një deputeti serb për nënkryetar.

Lista Serbe dështoi në propozimin për Sllavko Simiqin në tri runde. E pas kësaj, Basha me short mundësoi votimin për çdo deputet të këtij grupi e edhe për deputetin jo të Listës Serbe, Nenad Rashiqin. Por as ai nuk mori votat e mjaftueshme.

Tani Kushtetuesja ka vendosur që secili deputet e ka për obligim të votojë për, kundër apo abstenojë ndaj propozimeve që duhet të dalin në Kuvend brenda 12 ditësh.

Në pikën 153 të aktvendimit theksohet se votimi i mëhershëm nga tri herë për të njëjtin kandidat si mekanizëm nuk mund të bëhet pengesë për konstituimin nëse deputetët kanë vullnet për ta konstituuar Kuvendin.

"Gjykata ka parasysh se votimi për 8 (tetë) kandidatët nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb ka dështuar nga 3 (tri) herë, ndërsa 2 (dy) kandidate kanë refuzuar kandidaturën. Megjithatë, Gjykata konsideron se kriteri për votimin 3 (tri) herë për të njëjtin kandidat, i përcaktuar si mekanizëm debllokues në pikën IV të Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, në vetvete nuk mund të bëhet pengesë për konstituimin e Kuvendit, nëse (i) afati 30 (tridhjetë) ditor për konstituimin e Kuvendit nuk ka përfunduar dhe me kusht (ii) që të ketë vullnet të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit për ta konstituuar Kuvendin", thuhet në këtë pikë.

Nga tre herë kanë dështuar tetë deputetë, ndërsa dy kanë refuzuar kandidaturën.

Aktgjykimi i plotë:

Kushtetuesja nuk lejon veto për Listën Serbe

54 min. më parë / 8 tet 2025 16:47
lista serbe

Photo: Driton Paçarada

Në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive është specifikuar se asnjë subjekt i komuniteteve nuk mund ta bllokojë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, edhe nëse refuzon të propozojë emrin e ndonjë deputeti për nënkryetar.

Në pikën 148 të vendimit, Gjykata ka konstatuar se Kuvendit i mundësohet të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin prej anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit, me kushtin që Kryesia të ketë kuorum.

Teksa ka konstatuar se deputetët nuk kanë konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e një nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, Gjykata ka thënë se “në rastet kur e drejta kushtetuese në procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit gjatë konstituimit të Kuvendit nuk ushtrohet nga deputetët apo grupet parlamentare, që kanë të drejtë të propozojnë anëtarë të Kryesisë së Kuvendit, qofshin ato nga komuniteti shumicë apo nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilat mund të manifestohen në pengimin e këtij procesi, apo në rastet kur, përkundër vullnetit të shumicës së deputetëve për të zgjedhur anëtarin e Kryesisë, Kuvendit i pamundësohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së saj, Kuvendi përjashtimisht, do të mund të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, me kushtin që Kryesia e Kuvendit të ketë kuorum në vendimmarrjen e saj në përputhje me paragrafin 3 të nenit 20 (Mbledhja e Kryesisë) të Rregullores së Kuvendit, i cili përcakton se: ‘Vendimi i Kryesisë merret me shumicën e anëtarëve të pranishëm në mbledhje’”.

Megjithatë Kushtetuesja ka theksuar se në rastin konkret dështimi për konstituim i atribuohet mosvotimit të shumicës së deputetëve të zgjedhur të Kuvendit për deputetët e propozuar.

Në rastet e deritashme nuk kanë votuar deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe ata të Listës Serbe. Në disa raste nuk kanë marrë pjesë në votim as deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Me vendimin e publikuar të mërkurën, Gjykata ka urdhëruar të gjithë deputetët që të votojnë qoftë pro, kundër apo abstenim.

Vendimi ka theksuar po ashtu se edhe votimi për nënkryetar duhet të bëhet vetëm deri në tri raste për kandidatin e njëjtë.

Më 28 gusht, kryeparlamentari Dimal Basha shpalli të konstituuar Kuvendin e Kosovës pavarësisht moszgjedhjes së një deputeti serb për nënkryetar.

Lista Serbe, si subjekti më i madh nga radhët e komunitetit serb, dështoi në propozimin për Sllavko Simiqin në tri runde. E pas kësaj, Basha me short mundësoi votimin për çdo deputet të këtij grupi e edhe për deputetin jo të Listës Serbe, Nenad Rashiqin. Por as ai nuk mori votat e mjaftueshme.

Lista Serbe u ankua në Kushtetuese edhe për ndarjen e procesit të votimit prej nënkryetarit të komuniteteve tjera joshumicë. Por Gjykata konstatoi se nuk ka pasur shkelje në ndarjen e procesit.