Deputetët e Aleancës, Burim Ramadani dhe Time Kadrijaj kanë mbajtur një konferencë për media në të cilën kanë folur për zhvillimet e fundit politike në vend.
Kadriaj ka deklaruar se pas takimit të mbrëmshëm mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka munguar transparenca.
Ndërkohë duke folur për qëndrimin e Aleancës, Kadrijaj ka thënë se e kanë biseduar me kolegët që ta shtojnë edhe një kusht, atë për zhbërjen e Ligjit për Shtetësinë, krahas gjashtë të tjerave të cilat i kanë parashtruar.
Kryeministri Kurti e ka ftuar Aleancën në takim por nuk i është përgjigjur për kushtet e parashtruara nga ky subjekt politik.
“Çka është diskutuar për tri orë në një tavolinë nëse nuk e kanë një marrëveshje politike. Ne nuk mund ta ndalim LDK-në që të ketë një marrëveshje mirëpo le të jenë transparentë. Nuk mund ta pengojmë një marrëveshje por nëse e kanë një të tillë, le të vijnë në Kuvend dhe ta konstituojnë Kuvendin, të mos e shkelin Kushtetutën dhe pse jo ta bëjnë edhe presidentin. E kemi diskutuar edhe me kolegët e Aleancës, ndoshta është mirë të shtohet edhe një kusht, që të zhbëhet Ligji për Shtetësinë e Kosovës. Është një ligj i cili po e dëmton Kosovën”, ka thënë Kadrijaj.
Gjashtë pikat e Aleancës janë:
- Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan;
- Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit të ri me thëngjill, për të garantuar sigurinë energjetike të vendit;
- Ngritja e pragut të TVSH-së nga 30 mijë euro në 100 mijë euro;
- Lirim i tokës së punuar nga tatimi në pronë për rritjen e prodhimit vendor;
- Financimi i plotë i projekteve rrugore dhe kapitale të mbetura pezull;
- Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard euro investime kapitale për Prishtinën
Në këtë konferencë për media, deputeti Ramadani ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje ligjore, kushtetuese e financiare. Sipas Ramadanit, gjysmë milioni euro nga buxheti i Kosovës zhvaten çdo muaj për pagat dhe shpenzimet e tjera përcjellëse për të emëruarit në institucionet qeveritare.
Edhe
PDK-ja e Aleanca insistojnë që sa më parë të mbahet vazhdimi i seancës konstituive
Ai ka ftuar Prokurorinë të nis hetimet në lidhje me këtë çështje.
“Sikurse është e qartë me Kushtetutë, ai i cili certifikohet si deputet dhe jep betimin si i tillë nuk ka të drejtë të ushtrojë detyrën e ministrit në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Asnjë i punësuar nga këta ministra uzurpatorë tashmë, nuk kanë të drejtë të futen në zyret e Qeverisë. Shuma e përafërt e pagave të këtyre militantëve të LVV-së në zyre qeveritare është 486 mijë e 150 euro në muaj, të cilave i shtohen mbushjet e telefonave, karburanteve etj. Ftojmë Prokurorinë e Shtetit që menjëherë të marrë veprimet e nevojshme hetimore për të gjetur përgjegjësinë dhe për t’i vendosur para drejtësisë, zhvatësit e buxhetit të shtetit”, ka thënë Ramadani.
Deputeti i Aleancës shtoi se numri i këtyre të emëruarve politikë në institucionet qeveritare që përfshijnë këshilltarë e shoferë është 463 sosh, të cilët ligjërisht janë emëruar para zgjedhjeve të 7-qershorit.