Deputetët e Aleancës e kanë akuzuar Vetëvendosjen për shkelje të Kushtetutës dhe punësime partiake. Deputetja Time Kadrijaj nuk e ka përjashtuar përsëritjen e aksioneve të ngjashme me atë të 8 gushtit, kur hodhi vezë në drejtim të Albin Kurtit. Sipas saj, edhe takimi mes Kurtit dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhikut, po përdoret për ta zvarritur formimin e institucioneve të reja
Gjuajtjen sërish me vezë ndaj kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, nuk e ka përjashtuar të mërkurën deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj.
Gjatë një konference të mbajtur në hollin e Kuvendit, deputetët e Aleancës, Burim Ramadani dhe Kadrijaj, e akuzuan LVV-në për punësime partiake e shkelje kushtetuese.
Deputetja Kadrijaj ka paralajmëruar aksione të tjera, si ai i 8 gushtit kur hodhi vezë në drejtim të Kurtit.
“Përderisa do të ketë shkelje të Kushtetutës, sigurisht se ndoshta do të mendojmë për ndonjë aksion opozitar”, ka thënë ajo.
Më 8 gusht, gjatë vazhdimit të seancës konstituive, një ditë pas skadimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, Kurti kërkoi kohë shtesë për të propozuar emrin e kryetarit të Kuvendit.
Në atë moment, deputetja Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të tij.
Sipas saj, edhe takimi mes kryetarit të LVV-së dhe atij të Lidhjes Demokratike Lumir Abdixhiku bëhet që të zvarritet procesi i zgjedhjes së presidentit.
“Kurti dëshiron të blejë kohë. Ndoshta në konferencat për shtyp që i kanë dhënë edhe krerët e LDK-së, por edhe të Lëvizjes Vetëvendosje, është dashur të jenë transparentë me publikun, sepse unë e dëgjova edhe nga disa media çfarë është diskutuar për tri orë në një tavolinë, nëse nuk e kanë një marrëveshje politike. Ne nuk mundemi me e ndalë LDK-në mos me pasë një marrëveshje politike, mirëpo të jenë transparentë me publikun, me qytetarët, me gazetarët, me gjithë popullin”, ka thënë deputetja Kadrijaj.
E deputeti Ramadani tha se para zgjedhjeve të 7 qershorit Vetëvendosja ka akomoduar në pozita politike në qeveri 463 militantë partiakë, që sipas tij, buxhetit të vendit i shkaktojnë dëm nga 500 mijë euro në muaj.
“Ka raste kur shoferët janë emëruar këshilltarë vetëm për t’ju rritur paga, dhe kjo pagë vjen në kurriz të popullit të Kosovës, në kurriz të buxhetit të popullit të Kosovës. Sa e sa të rinj e të reja kanë diplomuar dhe nuk kanë mundësi punësimi në Kosovë, derisa 463 të emëruar politikë — që kanë qenë legalë e sot janë ilegalë — paguhen nga buxheti i popullit të Kosovës”, ka thënë Ramadani.
Ai ka ka ftuar Prokurorinë të nisë hetimet në lidhje me këtë çështje.
Ndërkaq, duke folur për qëndrimin e Aleancës për tejkalimin e ngërçit politik, ata kanë thënë se e kanë biseduar me kolegët që ta shtojnë edhe një kusht, atë për shfuqizimin e Ligjit për Shtetësinë, krahas gjashtë të tjerave të cilat i kanë parashtruar për ta votuar presidentin.
Deputetë të ish-opozitës pretendojnë se seanca konstituive nuk po përmbyllet edhe për shkak se Kurti, sipas tyre, synon ta shtyjë datën e zgjedhjeve deri në fund të dhjetorit, kur diaspora zakonisht kthehet në Kosovë për festat e fundvitit.
Sipas tyre, kjo do ta favorizonte Vetëvendosjen, e cila në zgjedhjet e kaluara ka marrë pjesën më të madhe të votave të diasporës.