Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dalë sërish në një konferencë për media dhe ka ndërruar propozimin për postin e presidentit.
Kurti ka propozuar Justina Shiroka-Pulën për këtë pozitë dhe ka ftuar Partinë Demokratike të Kosovës të vijnë dhe ta votojnë. Ai përsëriti se janë të gatshëm që paraprakisht të votojnë për ndryshimet në Ligjin për Specialen nëse Hamza zotohet se do të marrin pjesë me votë në seancë.
Kryeministri ka theksuar se Shiroka-Pula ka qenë ministre e PDK-së dhe e ka ftuar Hamzën që ta bindë atë për këtë post.
“Kryetari i PDK-së le të dalë publikisht sonte pas meje menjëherë që 22 deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së zotohen se marrin pjesë me votë për president, ne po ja votojmë projektligjin paraprakisht për ndryshimet në Ligjin e Gjykatës Speciale. Pastaj pika tjetër për votimin e presidentit. Justina Shiroka Pula ka qenë ministre e PDK-së. Le ta bindë Hamza unë jam dakord”, ka thënë Kurti.
Edhe para kësaj konference, Kurti deklaroi se janë të gatshëm që së pari të votohet në lexim të dytë për ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Speciale, në rast se PDK-ja zotohet se do të marrë pjesë në votimin për president.
Por, emrat e propozuar më parë nga Kurti ishin Glauk Konjufca e Feride Rushiti - emra të cilët i kishte propozuar edhe para zgjedhjeve të cilët ishin mbajtur më 7 qershor.
Edhe
Bekim Sejdiu propozohet për president
Pas Kurtit, në konferencë doli kryetari i PDK-së, Bedri Hamza dhe e refuzoi propozimin.
Hamza i quajti joserioze propozimet e Kurtit, ndërsa theksoi se të dy emrat e propozuar nga Kurti për president janë politik. Sipas Hamzës edhe Feride Rushiti është Vetëvendosje porse nuk e di ka edhe librezë të këtij subjekti politik.