Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka paralajmëruar se sapo të fillojë punën Kuvendi i Kosovës, do të zgjidhet qeveria e re.
Në një deklaratë për KosovaPress të mërkurën, Kurti ka thënë se hera e tretë në krye të ekzekutivit do të jetë “tamam”, duke e krahasuar me dy mandatet e mëparshme – të parin që zgjati pak dhe të dytin që po vazhdon përtej afatit për shkak të mosformimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Ne jemi Qeveria në detyrë. Posa të fillojë punën Kuvendi, e zgjedhim qeverinë e re. Jam në muajin e shtatë të vitit të pestë të mandatit katërvjeçar. Pra është më shumë sesa është dashur. Herën e parë ishte më pak se sa është dashur, herën e tretë do të jetë tamam”, u shpreh Kurti, duke lënë të kuptohet se nuk e përkrah idenë e propozuar nga partnerja e tij e koalicionit dhe kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, për formimin e një qeverie të përkohshme.
Më 30 shtator, Gjykata Kushtetuese konstatoi se Kuvendi i Kosovës nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb.
Sapo të publikohet aktgjykimi i plotë, partitë politike do të kenë 12 ditë afat që seanca konstituive e nisur më 15 prill të përfundojë me miratimin e të gjitha pikave.