Ende nuk dihet se kur do të thirret vazhdimi i seancës Konstituive të Kuvendit e kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka deklaruar se pa një marrëveshje politike për konstituimin e institucioneve, vendi pashmangshëm do të shkojë në zgjedhje të reja. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje politike do të vazhdojnë, me qëllim shmangien e zgjedhjeve të reja. Në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se me mos thirrjen e seancës po shkelet edhe rregullorja e Kuvendit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje politike do të vazhdojnë me qëllim shmangien e zgjedhjeve të reja.
Ndonëse që nga e premtja e javës së kaluar nuk ka pasur ndonjë njoftim për takim me ndonjërin nga liderët e partive politike, Kurti ka theksuar se është në komunikim me liderët dhe se synimi është arritja e një marrëveshjeje për zgjidhje.
“Jemi në komunikim edhe do të përpiqemi për çdo ditë që ta arrijmë marrëveshjen politike në mënyrë që t’i shmangim zgjedhjet e panevojshme, të paarsyeshme, sepse ato vetëm sa do të përsëriten. Pra u bëj thirrje edhe një herë liderëve të partive të tjera që të diskutojmë e të merremi vesh, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës nuk duan zgjedhje, duan zgjidhje. E zgjidhja është marrëveshja politike”, tha Kurti.
Edhe ministri në detyrë i Jashtëm, Glauk Konjufca, ka thënë të hënën se Kurti do t’u drejtohet sërish tri partive më të mëdha opozitare për dialog politik.
Konjufca ka deklaruar se nuk beson se procesi aktual i konstituimit të Kuvendit po bëhet në kundërshtim me Kushtetutën.
Edhe
Kurti: Do të përpiqemi çdo ditë për marrëveshje politike, qytetarët duan zgjidhje e jo zgjedhje
Sipas tij, themelimi i Kuvendit mund të zgjasë më shumë se një ditë.
“Ne nuk mendojmë që është shkelur Kushtetuta. Për shkak të këtyre momenteve dhe proceseve, prej zgjedhjeve të shkurtit ka qenë duke u interpretuar. I patëm disa momente edhe vitin e kaluar kur ishin të paqarta. Diskutimi ka të bëjë me ditën e mbajtjes së seancës dhe a e përbën një entitet të vetëm dhe a duhet të përfundojë brenda 24 orëve mbajtja e seancës apo jo. Sipas disa ekspertëve, të cilët kanë interpretime të ndryshme, mund të zgjasë edhe më shumë se 24 orë. Kështu është duke ndodhur edhe tash, po zgjat më shumë se një ditë. Nuk është dramatike qysh po e interpreton opozita, është pjesë e formësimit të mëtejshëm kushtetues të vendit tonë. Kur do të thirret seanca, nuk mund ta caktoj unë”, tha Konjufca.
Konjufca ka thënë se edhe moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës, nuk është situatë aq dramatike, siç po e interpreton opozita.
E kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka deklaruar se pa një marrëveshjeje politike për konstituimin e institucioneve, vendi pashmangshëm do të shkojë në zgjedhje të reja, të cilat i ka cilësuar të panevojshme dhe të dëmshme.
“Ka jo pak deputetë opozitarë që nuk duan kurrfarë marrëveshje politike për konstituim të institucioneve dhe që duan incidente fizike në seancën konstituive. Pa marrëveshje politike pashmangshëm shkojmë në zgjedhje të reja, të përsëritura, të panevojshme, të dëmshme. Duhet të arrihet marrëveshja politike. Këtë e kërkon Kushtetuta e Republikës dhe Gjykata Kushtetuese, këtë e pret populli i Kosovës dhe e ardhmja jonë”, tha Dehari.
Por Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, ka kritikuar vonesat për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se shkelja e Kushtetutës është bërë normalitet nga pushteti aktual.
I pyetur se a do ta dërgojnë rastin në Gjykatë Kushtetuese, Lushtaku tha se kjo është absurditet duke shtuar se zgjidhja e vetme mbetet rruga.
Konjufca: S’lodhemi nga dialogu politik, Kurti do t’u drejtohet sërish PDK-së, LDK-së e Aleancës
“Është absurditet ne me dërgu edhe një herë në Gjykatë Kushtetuese, kur është dëshmuar 100 herë se çdo herë kur kemi dërguar raste në Kushtetuese, ata kanë dalë të lagur apo të abuzuar me Kushtetutën. Ne e dimë se mbi 20 raste janë që është vërtetuar se kanë shkelur Kushtetutën. Më nuk ka rrugë vetëm institucionale dhe e vetmja (zgjidhje) do të jetë rruga”, tha Lushtaku.
Edhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, ka kritikuar partinë në pushtet për mos thirrjen e seancës kontituive.
“Sot, deputetët e kësaj legjislature do të duhej të ishin të mbledhur në sallë për të votuar ligje që lehtësojnë jetën e qytetarëve. Në vend të kësaj, përballemi me bllokadë dhe joseriozitet total nga partia në pushtet. Kosova po humb kohë të çmuar dhe faji për këtë ka emër. Mbajeni pushtetin që u ka takuar nga vota, por harrojeni se mund ta mbani të bllokuar shtetin!” – tha Ramadani.
E hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, thotë se me mos thirrjen e seancës nga kryesuesi Dehari po shkelet edhe rregullorja e Kuvendit.
Jakaj thotë se fatkeqësisht për këto shkelje nuk ka ndonjë pasojë konkrete e as kolektive e individuale.
“Në situatën aktuale kemi shkelje të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, keqpërdorim të pozitës së kryesuesit të seancës konstitutive nga zoti Dehari, dhe në anën tjetër kemi moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese që i njëjti të thërrasë seancën konstitutive dhe t'i kërkojë Lëvizjes Vetëvendosje propozimin për kryetar të Kuvendit. Nuk është detyrë e kryesuesit të seancës konstitutive që të kërkojë marrëveshje politike në mes të partive politike në Kuvendin e Kosovës. Detyrë e tij është drejtimi i seancës në mënyrë kushtetuese, ligjore dhe në pajtim me Rregulloren e Kuvendit të Kosovës, të cilën gjë ai nuk është duke e bërë deri më tani”, deklaroi Jakaj.
Edhe
Kurti: Nuk besoj se duhet t’i shpallim të përfunduara përpjekjet për marrëveshje
Legjislatura e njëmbëdhjetë nuk është konstituuar as në vazhdimin e dytë të seancës, që u mbajt 12 orë pas skadimit të afatit për përmbyllje të saj, të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
Seanca eskaloi në përplasje fizike pasi deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, hodhi vezë në drejtim të kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, veprim që u pasua edhe me shtyrje mes ligjvënësve.