Arbëri

Gjykata Kushtetuese: Kuvendi s’është konstituuar

Kushtetuesja ka marrë vendim të martën se seanca konstituive e Kuvendit nuk ka përfunduar dhe se ajo duhet të përfundojë brenda 12 ditëve që nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj të 30 shtatorit. Gjykata e ka arsyetuar vendimin e saj, duke përmendur se ende nuk është zgjedhur nënkryetari i Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb

Nuk ka përfunduar seanca konstituive e Kuvendit, e nisur më 15 prill, ka konstatuar Gjykata Kushtetuese në vendimin e nxjerrë të martën.

Këtë vendim, Kushtetuesja e ka marrë pas ankesës së partisë më të madhe të serbëve të Kosovës e që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, Lista Serbe, lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e pakicave. Në fund të gushtit, kryeparlamentari Dimal Basha e ka shpallur të konstituuar legjislaturën e nëntë, me gjithë dështimin për ta votuar një nënkryetar Kuvendi nga radhët e komunitetit serb. 

E në vendimin e Kushtetueses është thënë se seanca nuk ka përfunduar, pasi që nuk është zgjedhur nënkryetari serb i Kuvendit.

“Gjykata njëzëri ka vendosur: Të konstatojë që seanca konstituive e Kuvendit, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, është thënë në vendimin e Kushtetueses.

Në këtë vendim, Gjykata ka nxjerrë edhe dy urdhra. Njëri është që seanca konstituive të përmbyllet brenda 12 ditëve nga publikimi i aktgjykimit, aq sa kanë mbetur nga afati i dhënë për konstituimin e Kuvendit. 

“Gjykata njëzëri ka vendosur: Të urdhërojë që seanca konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij aktgjykimi”, thuhet në vendim.

E me urdhrin e dytë, deputetët duhet që gjatë zgjedhjes së nënkryetarit serb “të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”.

“Gjykata njëzëri ka vendosur: Të urdhërojë të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e qeverisjes dhe ndarja e pushtetit], neni 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve]  dhe nenin 74 [Ushtrimi i funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Në aktgjykim, Gjykata Kushtetuese nuk e ka konsideruar në asnjë pikë jokushtetuese ndarjen e votimit për nënkryetarët nga radhët e komuniteteve. Gjykata nuk e ka publikuar aktgjykimin e plotë ndërsa në njoftim është bërë e ditur se derisa aktgjykimi të shpallet në “Gazetën Zyrtare”, do të mbetet në fuqi masa e përkohshme me të cilën deputetëve u ndalohet që të ndërmarrin çfarëdo veprimi, përfshirë edhe atë në drejtim të formimit të qeverisë së re.

E publikimi i verdiktit të Kushtetueses ka nxitur një numër reagimesh, në kuadër të të cilave politikanë e edhe përfaqësues të shoqërisë civile i kanë dhënë interpretime të ndryshme vendimit.

Arben Gashi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka theksuar që nëse Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit prej 12 ditësh, atëherë ai shpërndahet dhe qytetarët vendosin përsëri në zgjedhje brenda 45 ditëve.

“Nuk ka më justifikime për bllokada politike. Pra, rruga është e thjeshtë: ose konstituohet Kuvendi, ose vendi shkon në zgjedhje”, ka shkruar ai në rrjete sociale.

Pavarësisht këtij interpretimi, zgjedhjet nuk mund të shpallen pa Kuvend të konstituuar i cili do të votonte pro shpërndarjes së legjislaturës aktuale.

E, sipas gjykatës, përbërja konstituohet, tek pasi që zgjidhet edhe nënkryetari i Kuvendit nga radhët e serbëve.

Publicisti Veton Surroi ka thënë se shumica ka për obligim që të zgjedhë njërin prej deputetëve të komunitetit serb për nënkryetar të Kuvendit.

“Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit i trajtojnë të dhjetë deputetët përfaqësues të komunitetit serb si të barabartë dhe është obligim i shumicës parlamentare që të zgjedhë njërin prej deputetëve të komunitetit serb. Rrjedha e deritanishme e zgjedhjes së Kryesisë së Kuvendit e zhvilluar në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit përmbyllet me konstituim të Kuvendit me votat e shumicës prej së paku 61 deputetëve, pra me ushtrimin e përgjegjësisë së shumicës”, ka thënë Surroi.

Ismet Kryeziu, i cili është drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), ka theksuar se për moskonstituimin e Kuvendit, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) i kanë ndihmuar edhe partitë shqiptare në opozitë.

“Vetëvendosje dështoi ta konstituojë Kuvendin dhe për këtë dështim tentoi ta bartë përgjegjësinë politike te Lista Serbe, tek opozita shqiptare dhe te Gjykata Kushtetuese. E opozita shqiptare i ndihmoi Vetëvendosjes të mos konstituohet Kuvendi dhe e barti përgjegjësinë te Gjykata Kushtetuese.  E tani mbas vendimit të sotëm, Gjykata Kushtetuese ju tregoi se ju ende jeni duke luajtur pingpong politik në dëm të interesave qytetare dhe shtetërore”, ka theksuar ai.

Në vendimin e saj, Kushtetuesja ka urdhëruar të gjithë deputetët që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, të ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën.