Gjykata Kushtetuese ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar, pa zgjedhjen e nënkryetarit serb.
Kjo gjykatë, obligon po ashtu deputetët që të kryejnë edhe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga ky komunitet brenda 12 ditësh, sipas afatit nga aktgjykimi i shkuar.
Hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Gëzim Shala, tha se Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj të sotëm ka treguar qartë procedura ligjore dhe kushtetuese për konstituimin e Kuvendit.
Shala thekson për KosovaPress se vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese është përkitazi me atë që e kishte thënë edhe IKD vazhdimisht “se pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve ku përfshihet edhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituar”.
“Me njoftimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese është konfirmuar ajo që si IKD kemi thënë vazhdimisht se pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve ku përfshihet edhe nënkryetari nga radhët e komunitetit serb, Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar. Bazuar në njoftimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese, rezulton se ky është vendim se seanca konstituive nuk ka përfunduar dhe për pasojë me rastin e publikimit të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese që paraqet edhe momentin e hyrjes në fuqi të aktgjykimit, deputetët duhet të mblidhen jo më vonë se 48 orë për të zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb. Sipas njoftimit Kuvendi duhet ta përfundojë këtë proces brenda 12 ditëve nga momenti i hyrjes në fuqi të aktgjykimit”, ka thënë Shala.
Shala thotë se Kushtetuesja është e qartë në vendimin për konstituim të Kuvendit, por sipas tij, këto mbetet të shihet nga momenti i publikimit të aktgjykimit të plotë nga ana e Gjykatës Kushtetuese për seancat e radhës.
“Bazuar në njoftimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese, Kushtetuesja ka urdhëruar të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, që në përputhje me kushtetutën gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb, ta ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe rregulloren e Kuvendit. Potencialisht mund të ketë edhe një sërë përfundimesh dhe standardesh përkitazi me këtë çështje të cilat janë trajtuar nga Gjykata Kushtetuese, porse këto mbetet të shihen nga momenti i publikimit të aktgjykimit të plotë nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, ka shtuar ai.
Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe tetë muaj pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u mbyll më 30 gusht nga kryeparlamentari Dimal Basha, ani pse deputetët nuk arritën ta zgjedhin nënkryetarin nga komuniteti serb, krahas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të tjerë të legjislativit.
Basha në arsyetimin e tij, ka thënë se ka ndërmarrë këtë veprim për të mos u bllokuar shteti dhe për të vijuar punën Kuvendi, rrjedhimisht edhe për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit./KSP
