Arbëri

Kurti për vërshimet: Duhet hetim për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se duhet të ketë hetim për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit, si një nga veprimet që duhet të ndërmarrin institucionet për të përmirësuar reagimin për parandalim të vërshimeve.

Pas përmbytjeve në disa qytete të Kosovës në fillim të vitit, Kurti ka thënë se përpos me pasojën, institucionet duhet të merren edhe me shkaktarët e vërshimeve. “Dëmtimi i brigjeve dhe shtretërve të lumenjve, hedhja e mbeturinave, prerja e pyjeve, sistemet joadekuate të kanalizimit, planifikimi jo i duhur... i kanë lehtësuar përmbytjet. Krahas vlerësimit të dëmeve duhet të bëjmë rivlerësim të sjelljes sonë karshi mjedisit dhe natyrës. Të përmirësojmë reagimin tonë në parandalim. Duhet hetim për veprimet e jashtëligjshme në dëm të ekosistemit. S’mjafton rimëkëmbja nëse s’nxjerrim mësime. S’mjafton tejkalimi nëse nuk përmirësohet”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën.

Ai ka premtuar se Qeveria do t’u qëndrojë pranë komunave të prekura, ndërsa ka bërë thirrje për “ndërgjegjësim institucional e shoqëror”.

Nga përmbytjet pësuan dëme të konsiderueshme Skenderaj, Mitrovica, Klina, Istogu e Podujeva.