Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka njoftuar themelimin e Gardës për Mbrojtjen e Natyrës, duke theksuar se kjo nismë përfaqëson një ndryshim në qasjen e shtetit ndaj mbrojtjes së mjedisit dhe parandalimit të dëmeve. Ai rikujtoi gjithashtu se gjatë mandatit të kaluar janë ndarë 10 milionë euro për pastrimin e lumenjve, raporton Ekonomia Online.
Në Ditën Botërore të Tokës, përfaqësuesit institucionalë u shprehën se kjo gardë do të rrisë kapacitetet për monitorim dhe reagim ndaj krimeve mjedisore, përfshirë edhe bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoKryeministri Albin Kurti theksoi se qeveria udhëhiqet nga parimi se dëmtimi i natyrës nuk duhet të mbetet pa reagim institucional.
“Asgjë nuk mund të mbetet neutrale kur dëmtohet natyra. Ky është parimi që na udhëheq si qeveri dhe që duam ta promovojmë në Ditën Botërore të Tokës. Po ashtu, besojmë se pasuritë natyrore nuk i përkasin askujt individualisht, por janë të përbashkëta për të gjithë, dhe se zhvillimi nuk mund të arrihet duke shkatërruar bazën e jetës. Garda për mbrojtjen e natyrës pasqyron një ndryshim të thellë në mënyrën se si e konceptojmë shtetin: një shtet aktiv, jo spektator; një shtet që parandalon në kohë dhe nuk reagon me vonesë. Pra, politika dhe veprime parandaluese, pa pritur që dëmi të ndodhë. Një shtet që nuk toleron degradimin, por e ndalon atë. Për shumë vite, natyra në vendin tonë është trajtuar si një hapësirë pa zot; aty ku ka munguar shteti, ka pasur abuzim, dhe aty ku ka munguar ligji, ka mbizotëruar interesi i ngushtë. Ne po e ndryshojmë rrënjësisht këtë qasje”, tha ai.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, bëri të ditur se fillimisht do të angazhohen mbi 100 gardianë, të cilët do të raportojnë dëmtimet e natyrës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
“Po themelojmë Gardën për Mbrojtjen e Natyrës, një hap që e kthen vizionin tonë shtetëror në një mbrojtës aktiv të pasurive kombëtare. Për ne, mbrojtja e natyrës është prioritet i panegociueshëm. Nën udhëheqjen e qeverisë së kryeministrit Kurti, po ndërtojmë një qasje të re ndaj mjedisit, që e konsideron natyrën si pasuri të përbashkët që duhet menaxhuar me kujdes, përgjegjësi dhe vizion afatgjatë. Kjo gardë është një instrument konkret i kësaj politike dhe përfaqëson një model të ri bashkëpunimi mes shtetit dhe shoqërisë. Ajo do të ndihmojë në monitorim, parandalim të krimeve mjedisore dhe edukim qytetar. Para se të vija këtu, kam nënshkruar vendimin për themelimin e saj dhe, menjëherë pas fjalimeve, së bashku me ministrin Xhelal Sveçla, do të nënshkruajmë memorandumin e bashkëpunimit, një marrëveshje që nuk do të jetë vetëm një akt burokratik, por një aleancë e fuqishme mes institucioneve dhe qytetarëve”, tha ajo.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi se ky mekanizëm do të rrisë kapacitetet institucionale për reagim ndaj shkeljeve mjedisore.
“Garda për Mbrojtjen e Natyrës, e cila konkretizohet sot përmes vendimit të ministres dhe marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, është një mekanizëm që forcon kapacitetet për parandalim dhe reagim ndaj çdo shkeljeje që dëmton mjedisin. Si Ministri e Punëve të Brendshme, do të ofrojmë mbështetje të plotë për të gjithë akterët, me synimin që asnjë shkelje të mos mbetet pa u trajtuar dhe asnjë abuzim ndaj mjedisit të mos mbetet pa përgjegjësi”, tha ai.
