Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se marrëveshja e Serbisë me Rusinë për ta koordinuar politikën e jashtme, duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore.
Kurti ka komentuar deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që u shpreh se ka informacione që Kosova po kërkon artileri me largësi prej më shumë se 10 kilometrash.
“Me çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë, ne kemi ministër të Mbrojtjes, kemi ministër të Punëve të Brendshme, por ne jemi qeveri demokratike, progresiste, e shpresës, ndërkohë që përballemi me fqinjët veriorë, që udhëhiqet nga një president i frikës dhe i kërcënimit, që përveç se udhëheq me një shtet në mënyrë jo demokratike dhe nuk e njeh Kosovën dhe krimet të cilat i ka kryer regjimi i Millosheviqit në Kosovë, gjithashtu mban edhe lidhje shumë të ngushta me federatën ruse, siç e pamë edhe së fundi me marrëveshjen e bashkëpunimit që nënshkroi ministri i Jashtëm serb me atë rus, që duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike”, ka thënë ai të shtunën pas takimit me krerët e komunave, transmeton KP.
Në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikola Selakoviq dhe ai i Rusisë, Sergei Lavrov kanë nënshkruar një marrëveshje për të koordinuar politikën e jashtme.
Serbia vazhdon të jetë ndër vendet e pakta në Evropë që s’i kanë vënë sanksione Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.
-
Kurti: Fqinji verior agresiv e nevrik, jemi të kujdesshëm e assesi të frikësuar
-
Kurti: Vuçiqi synon ta lërë të hapur mundësinë e pushtimit të Kosovës
-
Kurti thotë se Serbia po i ndjek metodat e Putinit
-
Kurti: BE-ja e SHBA-ja ta mbrojnë marrëveshjen me Serbinë
-
Kryeministri kërkon siguri për Kosovën, Vuçiq paralajmëron takim me të brenda 2-3 ditësh