LAJMET E MBRËMJES

Kryeministri kërkon siguri për Kosovën, Vuçiq paralajmëron takim me të brenda 2-3 ditësh

Kryeministri Albin Kurti ka bërë përgjegjës Serbinë për moszbatimin e marrëveshjeve të deritashme dhe ka thënë se Kosovës i duhet siguri, pas sulmit në Banjskë. E, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka bërë të ditur se një takim i nivelit të lartë pritet të zhvillohet brenda 2-3 ditësh.

Siguri për Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve të dakorduara me Serbinë në Bruksel dhe në Ohër ka kërkuar kryeministri Albin Kurti të martën nga Greqia.

I pranishëm në diskutimin e organizuar nga revista “The Economist”, Kurti ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë ngecur në zbatimin e 40 marrëveshjeve të arritura.

“Të arrish një marrëveshje dhe ta zbatosh atë janë dy planete të ndryshme dhe ne duhet që t’i sjellim ato në një kontinent, e ai është kontinenti evropian. Kështu që, t’i zbatojmë shpejt ato për të cilat jemi pajtuar dhe ende jam i gatshëm të nënshkruaj çka do që them po. Nuk ishte rasti i njëjtë me palën tjetër dhe më pas ndodhën vështirësitë”, tha Kurti.

Tek foli mbi sulmin në Banjskë, Kurti theksoi se për rastin është njoftuar nga ministri i Punëve të Brendshme, rreth orës 3 të mëngjesit të 24 shtatorit.

“Kemi nevojë për siguri në Kosovë, kemi nevojë për patrullime të përbashkëta të NATO-s dhe policisë sonë përgjatë kufirit me Serbinë. Por, në të njëjtën kohë, ne duhet të zbatojmë marrëveshjen që e kemi bërë”, tha Kurti.

Në këtë diskutim, kryeministri nuk e përmendi vizitën në Kosovë të pesëshes euro-amerikane gjatë fundjavës së shkuar, dhe as planin që ata kanë sjellë.

E lidhur me këtë plan, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të martën se pret që brenda dy apo tre ditëve të ardhshëm ta ketë një takim me kryeministrin e Kosovës.

“Agjenda është në përputhje me atë që është diskutuar me pesëshen e madhe dhe nuk mund të flas për këtë, sepse marrëveshja është e tillë. Pas kësaj do të kemi më shumë informacione. E jona është që ta mbrojmë Serbinë nga të gjitha masat e mundshme, por dhe nga shembja e interesave tona kombëtare dhe shtetërore”, tha Vuçiq.

Por në Qeverinë e Kosovës nuk e kanë konfirmuar në takim të mundshëm midis kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq në Bruksel.