Thirrje për drejtësi kanë bërë krerët shtetërorë të Kosovës me rastin e shënimit të përvjetorit të 30 të gjenocidit serb, të kryer në Srebrenicë. E reagimi i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në këtë përvjetor, ka nxitur reagime, të cilit i është rikujtuar mbrojtja që ua bën autorëve të sulmit terrorist në Banjskë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e zëvendëskryeministret, Donika Gërvalla dhe Emilja Rexhepi, kanë marrë pjesë në shënimin e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë.
Kurti ka shkruar se ajo çfarë ka ndodhur në këtë qytet të të Bosnjë-Hercegovinës, ka qenë paralajmërim i fushatës gjenocidale që do të ndodhte edhe në Kosovë.
“Nderimi i Srebrenicës do të thotë t’i nxjerrësh mësimet e saj. Gënjeshtrat e përdorura për të justifikuar krime të tilla ende rishfaqen dhe kur autorët e mohojnë përgjegjësinë, rreziqet e dhunës së ripërtërirë mbeten. “Ecja përpara” e vërtetë do të thotë këmbëngulja për të vërtetën, drejtësinë dhe guximin politik për ta parandaluar përsëritjen e historisë”, ka shkruar Kurti në rrjete sociale.
Thirrje për të mos heshtur ndaj gjenocidit ka bërë presidentja Vjosa Osmani.
“Pas tri dekadash, zëri i Nënave të Srebrenicës mbetet thirrja më e fortë kundër harresës dhe padrejtësisë. Kosova qëndron përkrah tyre, sepse ne e dimë çfarë do të thotë dhimbja e humbja, por dhe angazhimi i palodhur për drejtësi”, ka thënë ajo.
E politikania serbe, Rada Trajkoviq, e ka akuzuar presidentin Aleksandër Vuçiq se përveç autorëve të krimeve në Srebrenicë i mbron edhe ata që kryen sulmin në Banjskë të Zveçanit. Në reagimin e saj ndaj presidentit serb për gjenocidin në Srebrenicë, Trajkoviq ka thënë se keqardhja e shprehur nga ai është duke u bërë për ta shpëtuar postin në krye të shtetit.
Edhe
Bota mblidhet në Potoçari, në përkujtim të mbi 8.000 viktimave të gjenocidit të Srebrenicës
“Ndoshta është më mirë ta thoni këtë në serbisht, në mënyrë që autorët e krimeve që po i mbroni nga Srebrenica deri te Banjska të mund ta dëgjojnë mirë? Apo çështja është se me këtë deklaratë e lani veten dhe e shpëtoni kolltukun derisa populli e mban fajin kolektiv”, ka deklaruar Trajkoviq.
Vitin e shkuar, Qeveria e Kosovës e ka shpallur 11 korrikun ditë përkujtimore për gjenocidin e Srebrenicës. 30-vjetori i gjenocidit të kryer në këtë qytet të Bosnjë-Hercegovinës do të shënohet edhe në Kosovë nga ora 20:30, përmes një ngjarjeje përkujtimore në Prishtinë.