Kryeministri Albin Kurti pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e ka komentuar propozim-ndryshimin e projektligjit për Gjykatën Speciale, të iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Siç raporton KosovaPress, as Kurti e as dy ministra të Qeverisë së tij nuk kanë pranuar të flasin për këtë temë. Ata u pyetën për këtë çështje gjatë organizimit të akademisë përkujtimore për policin Afrim Bunjaku, në trevjetorin e vrasjes në sulmin terrorist në Banjskë.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se sonte janë për ta kujtuar heroin e vendit, Afrim Bunjakun, dhe jo për të diskutuar siç i quajti ajo “temat ditore”.
Ngjashëm si Kurti e Gërvalla veproi edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se krejt çka pati për të thënë sot, e tha në akademinë përkujtimore për heroin Afrim Bunjaku.
PDK-ja ditë më parë njoftoi për inicim të ndryshimeve ligjore të Ligjit për Specialen. Me anë të ndryshimeve ligjore në Partinë Demokratike synojnë që mandati i Gjykatës Speciale të kufizohet në trajtimin e krimeve të pretenduara në raportin e Dick Martyt, si dhe të vendoset monitorim ndërkombëtar i punës së saj. Ndërsa për krimet e luftës, për të cilat u dënuan katër ish-krerët e UÇK-së, projektligji i propozuar parasheh që ato të gjykohen në Kosovë.