Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gërvalla mohon bashkëpunimin me Specialen: S’kam heshtur, po angazhohemi për Apelin

Donika Gërvalla

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, i ka mohuar akuzat për bashkëpunim me Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke thënë se nuk ka pasur asnjë pikëtakim me Specialen, UNMIK-un apo EULEX-in, as drejtpërdrejt e as tërthorazi. Gërvalla ka deklaruar se nuk ka heshtur pas aktgjykimit dënues ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se si ministre është angazhuar për përgatitjen e hapave ligjorë.

“Deklaratat që më lidhin me bashkëpunimin janë bërë bozë. Nuk ka në asnjë hallkë, as me UNMIK-un, as me EULEX-in, as me Gjykatën Speciale, nuk ka asnjë pikëtakim timin, as direkt, as indirekt”, ka thënë Gërvalla në një konferencë për media të shtunën. 

Ajo ka kërkuar durim deri në publikimin e aktgjykimit të plotë, duke thënë se atëherë, sipas saj, do të bëhen të qarta faktet dhe do të mund të vlerësohen zhvillimet.

“E kam një shpresë, ata që kanë bërtitur më shumë në këtë lëmi, ata që më së shumti më kanë etiketuar, të paktën para pasqyrës të skuqen që nuk kanë dëgjuar faktet, por kanë zgjedhur t’i përsërisin gënjeshtrat që i kanë vënë vetë në qarkullim”, ka deklaruar ajo.

Gërvalla ka thënë se nuk ka heshtur lidhur me aktgjykimin ndaj katërshes së UÇK-së, duke theksuar se reagimi i kryeministrit është bërë në emër të Qeverisë, ndërsa ajo, si ministre e Drejtësisë, është marrë me përgatitjet ligjore.

Edhe Gërvalla: Nga dita e parë po përgatitemi për betejën në Apel LAJMET E MBRËMJES Gërvalla: Nga dita e parë po përgatitemi për betejën në Apel

“S’kam heshtur, unë jam ministre e Drejtësisë. Kryeministri e ka bërë një reagim në emër të Qeverisë, ndërsa unë si ministre i jam futur punës me qëllim që të përgatitemi për një betejë, sepse Specialja është betejë ligjore, jo deklaratash në media”, ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se Kosova duhet të përgatitet me “kokë të ftohtë” për instancën e ardhshme dhe se çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara kërkojnë ekspertizë të lartë.

Gërvalla është pyetur edhe për kërkesat për dorëheqjen e saj në protesta, por ka thënë se nuk dëshiron t’i komentojë ato.

“Është e drejtë e secilit qytetar të kërkojë dorëheqjen e një ministri. Nuk i komentoj kërkesat për dorëheqje. Nuk ia ndaloj fjalën askujt”, ka deklaruar ajo.

Sa i përket pjesëmarrjes në protesta, ajo ka thënë se koha e saj më e rëndësishme është të jetë në ministri.

“Koha ime është më e rëndësishme në MD, sesa të reklamohem në protesta”, ka deklaruar Gërvalla.

Ministrja ka folur edhe për projektligjin e propozuar nga PDK-ja, që lidhet me ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë po e analizojnë atë. Sipas saj, kur analiza të përfundojë, Ministria do t’ia dërgojë Qeverisë opinionin përkatës dhe kjo nuk do të vonojë. 

“Më shumë se fjalë, kemi nevojë për bashkëpunim, analizë e ekspertizë që në fund të fitojë drejtësia”, ka thënë Gërvalla.

Edhe Gërvalla në Forumit ministror BE–Ballkani Perëndimor: Lufta kundër korrupsionit kërkon vullnet institucional Arbëri Gërvalla në Forumit ministror BE–Ballkani Perëndimor: Lufta kundër korrupsionit kërkon vullnet institucional

Tutje, ministrja i ka quajtur “dinjitoze” protestat që po mbahen kundër vendimit të Speciales. 

Gërvalla ishte në qendër të kritikave pas vendimit të Speciales për dënimin me gjithsej 81 vjet burgim të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së. Ajo u akuzua fillimisht se kishte dërguar dosje në Dhomat e Specializuara, ndërsa më pas u kritikua edhe për mungesë reagimi ndaj aktgjykimit. Në protestat e mbajtura pas vendimit të Speciales, protestuesit kërkuan edhe dorëheqjen e saj.