Arbëri

Kurti: Enver Zymeri e Afrim Bunjaku dhanë jetën duke mbrojtur sovranitetin shtetëror

polict

Në nderim të 14-vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymeri dhe Ditës Memoriale të zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me disa nga ministrat në detyrë bëri homazhe pranë Lapidarit të Policëve të rënë në detyrë.

Me këtë rast, Kurti tha se sot u bënë nderime pranë lapidarit të policëve të rënë në krye të detyrës, 24 gjithsej në Kosovën e pasluftës, që nga Lazim Rexhepi në vitin 2001, e deri te Muhamet Lika në vitin 2025. Kurti, për rënien heroike të Enver Zymberit dhe Afrim Bunjakut, tha se dhanë jetën duke mbrojtur sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, rendin, ligjin, paqen dhe sigurinë në veri të vendit.

“Bëmë nderime këtu te lapidari i policëve të rënë në detyrë 24 gjithsej ne Kosovën e pasluftës, duke filluar nga Lazim Rexhepi në vitin 2001 e deri së fundmi te Muhamet Lika në vitin 2025. Me këtë rast dua të theksoj heroin tonë Enver Zymberin dhe po ashtu Afrim Bunjakun që ranë në krye të detyrës duke mbrojtur sovranitetin shtetëror, integritetin territorial, rendin, ligjin, paqen dhe sigurinë në veri të Kosovës. Dita Memoriale është e lidhur pikërisht me rënien heroike të Enver Zymberit në vitin 2011, më 26 korrik, me ç’rast kemi dhimbje e pikëllim, kemi shumë mall por në të njëjtën kohë kemi edhe krenari, sepse Policia e Kosovës është një forcë prej 10 mijë pjesëtarëve të cilët i dalin zot Republikës sonë”, tha Kurti.

Kurti tha se Policia e Kosovës është një forcë multietnike, e cila, ndonëse është sulmuar shpesh, ka dalë gjithmonë fitimtare dhe profesionale.

Ai rikujtoi si një nga sfidat më të mëdha për strukturën e saj që ndodhi në nëntor të vitit 2022, kur 541 policë të uniformuar nga komuniteti serb dhanë dorëheqje kolektive.

“Policia e Kosovës është një forcë multietnike e cila u sulmua shpesh, mirëpo gjithnjë doli fitimtare. E një nder sulmet strukturore që ka përjetuar ka qenë në nëntor të vitit 2022 ku kishim 541 policë në uniformë nga komuniteti serb që dhanë dorëheqje kolektivisht…Në vazhdimësi kemi kadetë të rinj nga gjenerata në gjeneratë të cilët po shtohen. Vetëm nga komuniteti serb kemi rreth 200 pjesëtarë që nga dorëheqjet e tyre që i janë bashkëngjitur Policisë së Kosovës dhe krah për krah me shqiptarët të uniformuar dhe të tjerë që i shërbejnë vendit tonë dhe qytetarëve tanë.”, tha Kurti.

Bashkë me Kurtin për homazhe ishin ministrat në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i Kulturës, Hajrullah Çeku dhe e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Homazhe bënë edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha bashkë me pjesëtarë të tjerë të lartë të Policisë së Kosovës.