Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Enver Zymeri e Afrim Bunjaku, policët që ranë në mbrojtje të shtetit

Lapidar

Në çdo 26 korrik, shënohet Dita Memoriale e Policëve të rënë në detyrë. Në nder të tyre, në Kosovë gjendet një lapidar që mban emrat e secilit që humbi jetën në uniformën shtetërore.

Në atë lapidar gjenden edhe emrat e dy zyrtarëve policorë që u vranë në rrethana ndryshe nga kolegët e tyre.

Enver Zymeri u vra më 26 korrik 2011 gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës në veri të vendit, pranë pikës kufitare të Bërnjakut. Ky operacion i policisë, kishte për qëllim vendosjen e kontrollit shtetëror në pikat kufitar Jarinje e Bërnjak. Zymeri iu bashkua policisë si pjesëtar i gjeneratës së dhjetë e më vonë u avancua në Njësinë Speciale.

Rënia e tij u konsiderua një moment kyç në përpjekjet e Kosovës për shtrirjen e rendit dhe ligjit në pjesën veriore të saj.

Njësoj si Zymeri, në përballje me serbë të armatosur u vra edhe rreshteri Afrim Bunjaku më 24 shtator të vitit 2023, në atë që njihet si sulmi i Banjskës.

Edhe Nderohen policët e rënë në detyrë, Kurti: Kosova më e sigurt se kurrë Arbëri Nderohen policët e rënë në detyrë, Kurti: Kosova më e sigurt se kurrë

Bunjaku atë natë ishte shef i ndërrimit në Stacionin Policor të Zveçanit. Ai u nis me kolegët drejt fshatit Banjskë pasi ishte raportuar se rruga ishte bllokuar nga dy kamionë pa targa. Sapo mbërritën në hyrje të fshatit, patrulla u sulmua fillimisht me një minë të telekomanduar, e më pas me armë të rënda nga grupi serb i armatosur. 

Nga ky sulmi, Afrim Bunjaku mbeti i vrarë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë policorë u plagosën. 

Por, çka dallon vdekja e Zymerit e Bunjakut nga kolegët e tyre të rënë po ashtu në krye të detyrës?

Në vitin 2013, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një letër-këmbim me shefin e atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, u zotua se FSK-ja nuk do të dislokohet në veri - zonë e banuar me shumicë serbe - pa u dakorduar paraprakisht me misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, unë jap garanci se FSK-ja do të ndërmarrë mision në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të KFOR-it”, shkruhet në letrën që mban nënshkrimin e Thaçit dhe datën 19 prill, 2013.

Edhe Kurti: Kosova është më e sigurt se kurrë më parë LAJMET E MBRËMJES Kurti: Kosova është më e sigurt se kurrë më parë

Kësisoj, duke qenë se FSK-ja nuk mund të dërgohet në pjesën veriore të territorit të Kosovës, komunat dhe pikat kufitare atje, menaxhohen nga njësite të Policisë së Kosovës.

Pas vrasjes së Bunjakut, u zhvillua një operacion policor që zgjati disa orë në dhe rreth Manastirit të Banjskës. Nga operacioni i Policisë së Kosovës, u vranë tre terroristë serbë, u arrestuan disa persona dhe u sekuestrua një arsenal i madh armësh, automjete të blinduara, eksploziv dhe pajisje ushtarake.

Sipas aktakuzës të ngritur nga Pokuroria Speciale e Kosovës, synimi i këtij grupi serb por të armatosur rëndë, ishte ndarja e veriut nga territori i Republikës së Kosovës.

Në rastin e Enver Zymerit, pavarësisht se pati të dyshuar të arrestuar nga misioni i EULEX-it në Kosovë, ata u liruan më vonë “në mungesë të provave”.

Përveç Policisë së Kosovës, komunat veriore i ruan misioni i EULEX-it dhe KFOR-it. 

Edhe Përfaqësuesi i BE-së bën thirrje që të sillen para drejtësisë autorët e sulmit në Banjskë Arbëri Përfaqësuesi i BE-së bën thirrje që të sillen para drejtësisë autorët e sulmit në Banjskë

Enver Zymeri dhe Afrim Bunjaku u dekoruan pas vdekjes me Urdhrin "Hero i Kosovës", që është një nga dekoratat më të larta shtetërore në Kosovë.

Në nderim të Zymerit, kampi i policisë “Belvedere” në Mitrovicë, e mori emrin “Enver Zymeri”.