Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nderohen policët e rënë në detyrë, Kurti: Kosova më e sigurt se kurrë

Policet

Në Ditën Memoriale të Policëve të rënë në detyrë, krerët shtetërorë kanë bërë homazhe te lapidari që mban emrat e tyre. 

26 korriku shënon edhe përvjetorin e vrasjes së zyrtarit policor Enver Zymeri në veriun e Kosovës.

Enver Zymeri u vra në operacionin e Policisë në veri të Kosovës më 26 korrik të vitit 2011, gjatë aksionit për t’i marrë nën kontroll pikat kufitare në veri.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se sot përkujtohen të gjithë policët e rënë në detyrë, përkujtohet Enver Zymeri e Afrim Bunjaku të cilët u bënë frymëzim për shumë policë të tjerë të vendit.

“Që prej atëherë, Enver Zymberin e kujtojmë si hero të Kosovës, si hero të shtetësisë dhe pavarësisë sonë. Ai po zbatonte ligjin dhe, me rënien e tij, frymëzoi shumë policë të Kosovës, si ata që ishin në detyrë, ashtu edhe të tjerë që më pas iu bashkuan Policisë. Përveç vrasjes së Enver Zymberit dhe të Afrim Bunjakut, Policia e Kosovës përjetoi një goditje të rëndë edhe më 5 nëntor 2022, kur rreth 550 policë të komunitetit serb u tërhoqën kolektivisht nga veriu i Ibrit me urdhër të Beogradit”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë gjithashtu se Kosova është më e sigurt se kurrë dhe se institucionet e sigurisë kanë dëshmuar qëndrueshmëri ndër vite. Ai shtoi se qëllimi i Beogradit për tërheqjen nga detyra e policëve të komunitet serb, dështoi sepse karakteri shumetnik i policisë nuk u cenua. 

“Qëllimi i tyre dështoi, pasi nuk u rrënua karakteri shumetnik i Policisë sonë dhe nuk u cenuan sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe stabiliteti institucional, siç synonin ata”, tha Kurti.

Kurti vizitat i ka vazhduar edhe në familjet e rreshterit Afrim Bunjaku dhe në vendin e rënies së heroit Enver Zymeri, në Varagë të Zubin Potoku. Kurti ka thënë se institucionet e drejtësisë e kanë mbështetjen e qeverisë në zbardhjen e vrasjes së Zymerit. Kurti shtoi se asnjë kriminel nuk do të mbetet i pandëshkuar dhe se veriu është ndryshe duke iu falënderuar Zymerit e Bunjakut.

“Sot gjendja këtu në veriun e Kosovës është krejtësisht ndryshe, pikërisht duke iu falënderuar Enver Zymerit, Afrim Bunjakut dhe të gjithë kolegëve të tyre, të cilët vendosën sundim të ligjit, paqe, siguri për të gjithë pa dallim. Për urdhërdhënësit dhe dorën kriminale që e vrau heroin e Kosovës Enver Zymerin, natyrisht që herët a vonë drejtësia do të veprojë, sepse asnjë kriminel nuk do të lejohet që të mbijetojë i pandëshkuar. Prandaj edhe prokuroria, e gjyqësia jonë, e kanë mbështetjen tonë”, deklaroi Kurti.

Ndërsa presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, deklaroi se siguria dhe sovraniteti i shtetit janë ngritur edhe mbi sakrificën e policëve që humbën jetën në krye të detyrës.

Nga Lazim Rexhepi, polici i parë i rënë në detyrë në Kosovën e pasluftës, deri te Muhamed Lika, secili prej këtyre emrave është pjesë e historisë së Policisë së Kosovës dhe të shtetit tonë. Në mesin e tyre janë Enver Zymeri, i vrarë më 26 korrik 2011 gjatë operacionit për vendosjen e rendit në veri, dhe Afrim Bunjaku, i vrarë në sulmin terrorist në Banjskë.  Rënia e tyre tregon sa e rëndë mund të bëhet detyra e policit kur vihet në mbrojtje të rendit, sigurisë dhe sovranitetit të vendit”, ka shkruar Haxhiu në Facebook pas homazheve.

Përveç Zymerit, në veriun e Kosovës është vrarë edhe rreshteri Afrim Bunjaku gjatë sulmit terrorist në Banjskë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, synimi i grupit serb të armatosur me armatim të rëndë ishte që ta ndanin veriun nga Kosova.

Lazim Rexhepi ishte zyrtari i parë policor që u vra në detyrë, ndërsa i fundit Muhamet Lika në hyrje të banesës së tij në Kaçanik.

Artikuj të ngjashëm