Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti e Sveçla në veri, bëjnë homazhe në vendin ku ra në detyrë Enver Zymberi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë homazhe dhe ka vendosur buqetë me lule në veri, në vendin e rënies në detyrë të pjesëtarit të forcave speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, në rrugën nacionale që lidhë Mitrovicën me Zubin Potokun, në afërsi të fshatit Zubç.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në shënim të 23-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, Kurti kujtoi Enver Zymberin, i cili ra në kryerje të detyrës zyrtare dhe në bartje të misionit për shtrirjen e plotë të sovranitetit dhe ligjshmërisë në Republikën e Kosovës.

Për këtë vizitë është deklaruar edhe vetë Kurti, i cili nëpërmjet një postimi në Facebook.

“Në 23-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës, nderuam kujtimin e pjesëtarit të forcave speciale të Policisë së Kosovës, të rënë në krye të detyrës, heroin Enver Zymberi. Bashkë me Ministrin Sveçla vendosëm lule në vendin e rënies së tij, në rrugën nacionale që lidhë Mitrovicën me Zubin Potokun, në afërsi të fshatit Zubç”, ka shkruar ai.

Kurti dhe Sveçla njoftohet se vizituan edhe bazën e re të Policisë së Kosovës në Jasenovik në Zubin Potok, si dhe kampin e njësisë speciale Belvedere në Mitrovicë.