Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kryetarja e Preshevës kërkon të shtyhet seanca për shkarkimin e saj pasi do të takohet me Kurtin

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit të Preshevës, Sami Salihut, ta shtyjë seancën e kuvendit komunal ku do të shqyrtohet shkarkimi i saj.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se arsye për shtyrjen e kësaj seance është një takim që do ta mbajë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti në një vizitë në Kosovë të hënën.

Sinani ka thënë se në bazë të kërkesës së këshilltarëve të opozitës është ftuar ditën e hënë, me fillim në ora 10:00, seancë e jashtëzakonshme, me pikë të vetme të rendit të ditës: Shqyrtimi i propozimit për shkarkim të Kryetares së Komunës së Preshevës.

“Duke qenë se si përfaqësues politikë nga Lugina e Preshevës jemi të ftuar nesër në takim në Prishtinë, në ora 8.00, nga kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, ku kam konfirmuar pjesëmarrjen time, njoftoj opinionin publik se së bashku me z.Munir Rexhepi, Shef i Grupit të Këshilltarëve të Partisë për Veprim Demokratik në Kuvendin Komunal të Preshevës, kemi kërkuar sot nga kryetari i Kuvendit Komunal z.Sami Salihu, që ta shtyjë seancën për një kohë më të përshtatshme, meqë është e pamundur të jem e pranishme fizikisht në ora 10.00 në Preshevë”, ka shkruar ajo.

Ajo tutje ka shtuar se beson në mirëkuptimin e këshilltarëve komunal për ta mundësuar praninë e saj në seancën ku është iniciuar shqyrtim-propozimi për shkarkimin e saj.