Pezullim të konkursit të fundit të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe zbatim të Ligjit për Obiliqin dhe vendimeve të Qeverisë së Kosovës është kërkuar në seancën e jashtëzakonshme që është mbajtur të martën në Kuvendin Komunal të kësaj komune.
Aty kryetari, Xhafer Gashi, ka paralajmëruar edhe padi ndaj KEK-ut për moszbatim të atij ligji dhe vendimeve të Qeverisë së Kosovës. Gashi që vjen nga radhët e AAK-së (e njëjta parti që udhëheq Qeverinë e Kosovës) e ka lutur kryeministrin Ramush Haradinaj, ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dhe menaxhmentin e KEK-ut që të reflektojnë pozitivisht, shkruan sot Koha Ditore.
“Sikur KEK-u kish me respektua Ligjin gjithçka kish me qenë ndryshe. KEK-u ka obligim edhe ndaj ambientit, edhe ndaj separacioneve, ndotjes së ujit, ajrit e tokës...Nesër më së voni do t’u drejtohemi gjykatave përgjegjëse me padi për pezullim të vendimit të shpallur të konkursit të fundit të KEK-ut me qëllim që të rishikohen të gjithë ata që kanë aplikua dhe ne do të bazohemi në vendimet e Komisionit dhe Ligjin për Obiliqin”, ka thënë Xhafer Gashi në seancën e thirrur me vetëm një pikë të rendit të ditës.
“Unë shpresoj dhe e lus edhe kryeministrin Haradinaj, ministrin Lluka, menaxhmentin e KEK-ut që të reflektojnë pozitivisht, sepse 72 për qind të territorit e shfrytëzojnë pamëshirshëm për prodhimin e energjisë elektrike. Shpresoj që të ketë mirëkuptim, në të kundërtën, nëse qytetarët jenë në rrugë, sigurisht do të jemi edhe na”.
Kryetari i Obiliqit ka thënë se gjatë procesit të zhvendosjes së banorëve nga fshatrat Hade e Shipitullë është theksuar edhe çështja e punësimit
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)