Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, i ka reaguar Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në lidhje me, siç pretendon ai, anashkalimin e banorëve të Komunës që ai drejton për t’u punësuar në këtë korporatë.
Ndërkaq Gashi, përmes një komunikate dërguar medieve, ka thënë se KEK-u nuk i është përmbajtur ligjit, duke mos i marrë me prioritet banorët e Obiliqit në konkurset për punësim.
Ai ka thënë po ashtu se KEK-u ka bërë degradime të shumta në sipërfaqet e tokave bujqësore e po ashtu edhe në mjedis nga ku, thotë ai, kanë ardhur sëmundje të rënda për banorët.
Kreu i Komunës ka përmendur edhe shpronësimet në fshatin Hade dhe Shipitullë, derisa ka thënë se KEK-u nuk po i bart përgjegjësitë për dëmin që po i shkakton komunitetit.
Një banor i Shipitullës i ka dërguar disa lista në redaksinë e KTV-së ku pretendon se janë emrat e të punësuarve në konkursin e fundit të shpallur nga KEK-u për pozitat “Teknik i Makinerisë” dhe “Teknik të Elektronikës”, duke thënë se nga 100 banorë sa ishin premtuar që do të pranoheshin, janë punësuar vetëm tre nga fshati Shipitullë me rrethinë.
Reagimi i plotë i kryetarit të Obiliqit, Xhafer Gashi:
I indinjuar dhe revoltuar tej mase me zhvillimet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës, me punësime dhe investimet në komunën që unë drejtoj, komunën e Obiliqit, të nderuar më lejoni të rikujtoj për të satën herë obligimet që KEK-u ka ndaj komunitetit tani e sa vite që operon në komunën tonë e së fundmi ky obligim i ceket edhe me Ligjin për Zonën e Rrezikuar Mjedisore të Obiliqit (Ligji NR.05/L-044), si dhe Vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj (Vendimi Nr.13/89, date:12.02.2019)
Ashtu siç e dini, territori prej 105 km2 i komunës, 72% shfrytëzohet nga KEK-u, e shpallur kështu zonë me interes të veçantë, po ashtu degradime të shumta si në sipërfaqet e tokave bujqësore ashtu edhe në ambientin dhe mjedisin tonë, e të cilat kanë sjell te sëmundjet e rënda e edhe tek shpronësimet e popullsisë.
Për këto vite fshati Hade dhe fshati Shipitullë kanë mbetur nën ndikimin e fatit, deri në kohën kur realizuam Ligjin për Obiliqin, ndërsa edhe sot e kësaj dite KEK-u nuk merr dhe nuk bartë përgjegjësitë e tij karshi dëmit që i shkakton komunitetit, e për të cilat duhet të bëjë kompensimin.
Të nderuar qytetar,
Nuk e dimë deri kur duhet duruar këto padrejtësi, kur përveç që KEK-u nuk respekton Ligjin dhe Vendimin, e nuk pranon në punësim, në kushtet e barabarta me prioritet qytetarët e Obiliqit, të njëjtit po atë ditë të listës së publikimit me punëtorët e pranuar, hap konkurs të rregullt prapë! Shkelje e dyfishtë!
Premtimet dhe zotimet në investimet në ambient, gjelbërim dhe parqe po ashtu që nga muaji mars i 2018, ende asnjë realizim nga KEK-u.
Të nderuar,
Fshati Hade e Shipitullë përsëri temë diskutimi, shpronësimi dhe ende pa një zgjidhje, tema e rikthyer. Pas takimeve të shumta me Qeverinë, ministritë gjegjëse dhe Korporatën Energjetike të Kosovës, ishte koha kur KEK-u do të respektonte kërkesat e komunitetit, por si duket KEK-ut nuk i bëhet vonë.
Prandaj të nderuar, U ftoj të gjithë ju që keni aplikuar e ju është shkelur e drejta juaj në këto konkurse të paraqitni ankesat e juaja në adresat e duhura te organet kompetente.
Po ashtu banorët e fshatit Hade e Shipitullë, u ftoj nesër (11.05.2019) në ora 17:00, në sallën e Kuvendit Komunal, takim për të diskutuar shqetësimet tona. Po ashtu me datë: 14.05.2019 (e marte), nga ora 10:00, do të mbajmë seancë të jashtëzakonshme.
Të nderuar,
Ne jemi të vendosur për të drejtat tona dhe nuk do të ndalemi deri në realizimin e tyre, në të gjitha format. Besoj në përkrahjen tuaj!

