Arbëri

Krasniqi i përgjigjet Aliut: Keni vendosur ta ruani partinë, e mos të brengoseni për Kosovën

Foto: Koha

Deputeti i PSD-së, Frashër Krasniqi, i është përgjigjur kritikave të ish bashkëpartiakut të tij, Liburn Aliu, që tha se e ka të qartë se pse u shkëputën nga Lëvizja Vetëvendosje, 12 deputetët.

“Liburn Aliu, ndërkohë që ju vajtoni e ankoheni, ne po e vazhdojmë rrugën tonë për ta ndalur Thaçin, Veselin, etj. duke mos ua lënë në dorë atyre tërë fatin e Kosovës”, ka thënë Krasniqi. “Asnjë rezultat kurrë nuk e prodhoi strategjia e inatit, goditjes së murit me kokë, kritikës prej anash dhe pa u përfshirë. Ju keni vendosur ta ruani partinë tuaj e të mos brengoseni fare për Kosovën”, ka shtuar më pas.

Krasniqi i ka thënë ish partisë së tij, se “edhe pse na quajtët të parëndësishëm, ora juaj është ndalur prej që kemi dal në 90% të kohës merreni me PSD-në”.

“Asnjë temë tjetër. Vazhdoni me vajtu, por kurrë sen n'dritë s'keni me qitë kështu”, ka thënë në fund Krasniqi.

Më herët, Liburn Aliu, deputet në Kuvendin e Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se më në fund e ka të qartë pse një grup deputetësh të kësaj partie u shkëputën.

12 deputetë të kësaj Lëvizje, ishin shkëputur për të kaluar në PSD-në e Kaqusha Jasharit. Bashkë me ta edhe Shpend Ahmeti kryetar i Komunës së Prishtinës, që u bë kryetar i PSD-së, dhe Qëndron Kastrati, kryetar i Komunës së Kamenicës.

“Dhe më në fund e kam çdo gjë të qartë për grupin që doli nga VV. Na patën lodhë me lloj-lloj arsyetimesh koti. E që të gjithë e dinim që nuk qëndrojnë. Porsa u rrit temperatura u doli boja krejt”, ka thënë Aliu.

Kujtojmë se PSD-ja ka kërkuar nga opozita që të bashkohet në një konsensus për t’u bërë pjesë e dialogut në mes të Kosovës e Serbisë, duke ia dhënë rolin kryesor në udhëheqje Kuvendit të Kosovës.