Arbëri

Thellohet përplasja PSD-VV, reagon edhe Frashër Krasniqi

Foto: Koha

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, ka vazhduar polemikat mes partisë së vet dhe Vetëvendosjes, nga ku u largua.

Pas deklaratës së nënkryetarit të PSD-së, Visar Ymeri, se protesta kundër idesë për korrigjim kufijsh nga presidenti Hashim Thaçi ishte bërë me qëllim të promovimit të VV-së dhe liderit të saj Albin Kurti, kishte reaguar deputeti Liburn Aliu që tha se të larguarit po vajtojnë për planin që u ka dështuar. Aliu në reagimin e tij përmendi edhe pagat e ish-deputetëve të VV-së, teksa shtoi se “shkuarja e tyre ishte bereqet për ne”.

“Liburn Aliu e konfirmoi vetë, pa ia kërkuar askush që protesta e VV qenka organizuar për afirmim të VV dhe kundër PSD-së. Shiheni se si sa herë që po flasin për protestën, këtë e bëjnë në kontekst të sulmit ndaj PSD-së dhe afirmimit të VV-së, dhe jo për ta sulmuar Thaçin kundër të cilit mashtruan se po e thërrasin protestën. Unë nuk e di për cilën mbështetje po flet Liburni, por është mirë t’i presim zgjedhjet. Mbase ju kemi sjell bereqet, por sondazhet po flasin që VV nga partia e parë ka dal në partinë e tretë. Nga 32 deputetë, ka mbetur me 19. E për votat e PSD, prapë le t’i presim zgjedhjet. Do të zhgënjeheni edhe në këtë rast. PSD do të ketë deputetë më shumë se që ka aktualisht. Kur Liburni thotë se largimi ynë paska qenë bereqet për VV, kjo tregon atë që e thoshim ne para vendimit që të largohemi: VV nuk na deshi neve aty. Sepse Albin Kurti nuk deshi mendim kritik”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Krasniqi ka vazhduar duke e quajtur Aliun hipokrit e duke thënë se disa prej anëtarëve të VV-së sillen me Mercedesa e me nga tre truproje.

“Dhe krejt në fund, për hipokrizinë e pagave: Liburn Aliu, mos harro që VV sot menaxhon me 1.2 milion euro buxhet (vetëm nga buxheti i shtetit). Pra është parti e pasur. Dhe po, një pjesë e aktivistëve që kemi dalur, kemi marrë paga nga VV, por sot ju, si hipokritë që jeni, le që nuk i keni ulur pagat por keni punësuar njerëz me paga saktësisht të njëjta. Sot, disa prej jush, e në veçanti kryetari, endeni me mercedesa dhe keni nga 3 truproja. Mos shitni moral sepse asnjë pikë s'e keni”, ka përfunduar Krasniqi.