Arbëri

Aliu i përgjigjet Ymerit

Deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, i është kundërpërgjigjur ish-kryetarit të kësaj partie e tash deputet i PSD-së, Visar Ymerit, që në Interaktiv të KTV-së tha se protesta kundër korrigjimit të kufijve ishte vetëm për të promovuar liderin e VV-së Albin Kurti.

Sipas Aliut, deklaratat e tilla janë vajtim “për planin që u ka dështuar”.

Ai në një postim në Facebook ka thënë se ish-bashkëpartiakët e tij janë në pazare për koalicione parazgjedhore.

“Eksponentë të atyre që u larguan nga VV, po thonë se protesta ishte vetëm për një njeri, për Albinin. Në fakt, ky është vajtimi i tyre për planin që u ka dështuar. Ata kanë menduar që TË GJITHË do të dalin nga VETËVENDOSJE! dhe, siç edhe kanë thënë, ‘Albini do të mbetet vetëm, si Adem Demaçi, pa organizatë!’. E kundërta ndodhi. Mbështetja për VV vetëm sa është rritur kurse ata janë në pazar - kujt do t'i shiten për koalicion parazgjedhor meqë nuk e kalojnë dot as gjysmë pragu. Këtë vit nga VV kanë dalur rreth 40 anëtarë të vjetër (me ndonjë përjashtim prej vullnetari, të gjithë këta paguheshin me rroga), mirëpo kanë ardhur mbi 4.300 anëtarë të rinj dhe sot VV i ka mbi 35 mijë anëtarë gjithsej. Ashtu siç pak kujt ia ka marrë mendja, dalja e atyre që shkuan ishte me bereqet për neve”, ka shkruar ai.