Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Samsung prezanton telefona dhe orë të avancuara me Inteligjencë Artificiale

Samsung

Foto: Associated Press

Telefonat e palosshëm po rikthehen si një nga segmentet më të rëndësishme të tregut premium të telefonave inteligjentë. Në ceremoninë Galaxy Unpacked në Londër, Samsung ka prezantuar modelet e reja Galaxy Z Flip8, Galaxy Z Fold8 dhe Galaxy Z Fold8 Ultra, si edhe orët Galaxy Watch9 dhe Galaxy Watch Ultra2.

Galaxy Z Flip8 ruan konceptin klasik të telefonit që paloset si guaskë, por me ekran modern me prekje dhe një ekran të jashtëm FlexWindow, që lejon kontrollimin e njoftimeve, përdorimin e aplikacioneve, kamerës dhe asistentit Gemini pa e hapur telefonin.

Galaxy Z Fold8 hapet si një libër, duke ofruar një ekran më të madh për filma, lojëra, lexim dhe shumë veprime njëkohësisht, ndërsa Fold8 Ultra është modeli më premium, me ekran më të madh, kamera më të avancuara, trup më të hollë dhe bateri më të madhe.

Samsungu thotë se telefonat e palosshëm u japin përdoruesve më shumë hapësirë ekrani pa sakrifikuar komoditetin e bartjes.

“Aktualisht, njerëzit i përdorin telefonat e tyre për pak më shumë se tri orë në ditë dhe, kur flasim me konsumatorët, të gjithë na thonë të njëjtën gjë: njerëzit duan ekrane më të mëdha dhe duan të kenë mundësinë të bëjnë më shumë gjëra me telefonin e tyre. Por problemi është se xhepat tanë nuk po zmadhohen. Kështu që, ajo që kemi bërë ne te Samsung është krijimi i këtij telefoni të palosshëm, dhe ky është viti i tetë radhazi që e bëjmë këtë, në mënyrë që ai të përshtatet në mënyrë të përkryer në xhepin tuaj”, ka deklaruar Benjamin Braun, drejtor marketingu në "Samsung". 

Analisti Ben Wood nga CCS Insight thotë se Samsungu po zgjeron gamën e telefonave të palosshëm për t’iu përshtatur përdoruesve të ndryshëm.

Sipas tij, dizajni i ri mund t’i japë Samsungut një avantazh përballë Apple-it, për të cilin qarkullojnë zëra se po përgatit një iPhone të palosshëm.

“Së pari, ata duan të plotësojnë portofolin e tyre për të theksuar faktin se janë ata që përcaktojnë trendet në tregun e pajisjeve të palosshme. Së dyti, përflitet se iPhone-i i palosshëm që pritet të dalë nga Apple do t'i ngjajë pikërisht këtij formati; kështu që kjo i jep Samsungut një pozicion strategjik në këtë garë”, është shprehur Wood. 

Samsung thekson se seria e re Z është ndërtuar me ekrane më të forta, më të ndritshme dhe me një mekanizëm palosjeje që redukton dukshmërinë e vijës së palosjes dhe rrit qëndrueshmërinë.

Një nga risitë kryesore është integrimi më i thellë i Galaxy AI. Mjetet e inteligjencës artificiale ndihmojnë përdoruesit të përmbledhin dokumente, të organizojnë informacionin, të kryejnë veprime në disa aplikacione njëkohësisht dhe të marrin sugjerime automatike bazuar në aktivitetin e tyre.

Krahas telefonave, Samsungu ka prezantuar edhe dy orë të reja inteligjente.

Galaxy Watch Ultra2 është projektuar për përdoruesit aktivë dhe sportet në natyrë, me funksione për vrapim, orientim, hidratim dhe zhytje.

Galaxy Watch9 synon përdorimin e përditshëm, duke u fokusuar në monitorimin e gjumit, aktivitetit fizik, shëndetit të zemrës dhe rikuperimit.

Të dy modelet përdorin sensorin BioActive, i cili mbledh të dhëna biometrike dhe, me ndihmën e inteligjencës artificiale, i shndërron ato në rekomandime të personalizuara për përdoruesin.

Shitja e përgjithshme e telefonave dhe orëve nis më 7 gusht 2026.

Artikuj të ngjashëm