Apple ka prezantuar gjeneratën e re të iPhoneve, ku vëmendjen kryesore e kanë marrë iPhone 18 Pro, iPhone 18 Pro Max dhe iPhone Duo, telefoni i parë i palosshëm i kompanisë.
Gjatë prezantimit, Apple theksoi disa risi në kamera, inteligjencën artificiale dhe dizajnin e ri të iPhoneit. Megjithatë, shumë prej këtyre teknologjive nuk janë të reja për tregun e telefonave, pasi prodhuesit Android i kanë përdorur prej vitesh.
Hapja e ndryshueshme e kamerës
Një nga risitë kryesore të iPhone 18 Pro dhe Pro Max është kamera kryesore 48 megapikselë me hapje të ndryshueshme. Përdoruesi mund ta ndryshojë hapjen e lentes, ndërsa sistemi mund ta përshtatë atë edhe automatikisht sipas kushteve të fotografimit.
Por Samsung e kishte sjellë këtë teknologji që në 2018, me Galaxy S9 dhe S9+, të cilët kishin hapje mekanike që ndryshonte mes f/1.5 dhe f/2.4. Huawei më vonë e avancoi teknologjinë me Mate 50 Pro, në vitin 2022, duke ofruar një gamë nga f/1.4 deri në f/4.0.
Edhe kontrollet manuale të kamerës që Apple i ka prezantuar tani, si shpejtësia e shkrepjes, balanca e të bardhës dhe parametra të tjerë, kanë qenë të pranishme prej vitesh në telefonat Android.
iPhone i palosshëm, shtatë vjet pas Galaxy Fold
Risia më e madhe e Apple është iPhone Duo, telefoni i parë i palosshëm i kompanisë. Ai hapet si libër dhe ka ekran të brendshëm 19.3 centrimetra dhe ekran të jashtëm 13.7 centimetra. Apple ka vendosur theks të veçantë te përdorimi i disa aplikacioneve njëkohësisht dhe përshtatja e iOS për ekranin e madh.
Çmimi fillestar është 1,999 dollarë.
Por Samsung kishte prezantuar Galaxy Foldin e parë që në vitin 2019, ndërsa që atëherë në treg janë shfaqur edhe modele të palosshme nga Huawei, Xiaomi, Honor dhe prodhues të tjerë.
Kamera nën ekran
Edhe kamera e përparme e vendosur nën ekran nuk është një risi e Apple. ZTE prezantoi në vitin 2020 Axon 20 5G, telefonin e parë komercial me kamerë nën ekran. Një vit më vonë, Samsungu e përdori këtë teknologji në Galaxy Z Fold3.
Inteligjenca artificiale
Apple ka sjellë gjithashtu funksione të reja të inteligjencës artificiale përmes Apple Intelligence dhe Siri-t. iPhone mund të përdorë atë që shfaqet në ekran ose atë që kamera po sheh për të kuptuar më mirë kontekstin dhe për t’i dhënë përdoruesit ndihmë më të përshtatshme.
Edhe kjo ide është tashmë e njohur tek Androidi. Google, përmes Gemini, ofron prej kohësh mundësi për të analizuar atë që përdoruesi sheh përmes kamerës apo përmbajtjen që shfaqet në ekran.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se risitë e Appleit janë të parëndësishme. Kompania ka avantazh në integrimin e harduerit, softuerit dhe ekosistemit të saj, ndërsa mbetet për t’u parë se sa mirë do të funksionojnë këto teknologji në praktikë.