Arbëri

Krasniqi: Beteja e Koshares e ngriti moralin për popullin e Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me rastin e 24-vjetorit të Betejës së Koshares, ka thënë se kjo ngjarje shënon fillimin e një prej betejave më të lavdishme të UÇK-së.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Krasniqi ka thënë se kjo betejë e ka ngritur moralin për popullin e Kosovës.

“24 vjet qëkur ushtarët e Brigadës 138 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të udhëhequr nga heroi Agim Ramadani, i dhanë fund ndarjes së kombit shqiptar, duke thyer kufirin Kosovë – Shqipëri. Kjo ngjarje shënon fillimin e një prej betejave më të lavdishme të UÇK-së – Betejës së Koshares, e cila forcoi shpresën dhe ngriti moralin në mesin e popullit të Kosovës. Përherë mirënjohës për veprën e dëshmorëve dhe veteranëve të Betejës së Koshares”, ka shkruar ai.

Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shënuar jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i kishte hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.