Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Beteja e Koshares – momenti më krenar në historinë e re të Kosovës

Beteja e Koshares

Janë bërë 23 vjet qëkur nisi operacioni “Shigjeta” i Brigadës 138 të UÇK-së të udhëhequr nga komandanti Agim Ramadani, në Koshare. Udhëheqësit institucionalë e partiakë e cilësuan betejën si njërin prej momenteve të krenarisë më të madhe në historinë e Kosovës që bëri kthesë në luftën për pavarësi

Si një prej momenteve të krenarisë më të madhe të historisë së Kosovës, është vlerësuar të shtunën beteja e Koshares, në 23-vjetorin e saj. Liderë institucionalë dhe partiakë e shënuan këtë betejë me vendosje kurorash me lule në memorialin e dëshmorëve, si dhe me postime e shkrime në rrjetet sociale.

Presidentja Vjosa Osmani, pasi ka vendosur lule në memorialin e dëshmorëve në Koshare, e ka lartësuar betejën si njërën prej më të lavdishmeve.

“9 prilli është ditë e veçantë në historinë e Republikës së Kosovës. E shënon luftën frontale në rajonin e gjerë të brezit kufitar të Koshares, me qëllim të dëbimit të forcave pushtuese serbe nga zona e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe me qëllim të çlirimit të vendit tonë. Kjo ishte ndër betejat më të lavdishme të kryera nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë Osmani.

Si ngjarje historike dhe të rëndësishme për luftën çlirimtare të Kosovës e kanë vlerësuar betejën liderët e partive opozitare.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nga Kosharja iu shtua motivi ushtarëve të UÇK-së.

Edhe Thyerja e kufirit ndërshqiptar i dha tjetër epilog luftës Arbëri Thyerja e kufirit ndërshqiptar i dha tjetër epilog luftës

“23 vjet më parë, burrat dhe gratë më të mirët e vendit nisën betejën e thyerjes së kufirit shqiptar, dhe kështu edhe atë të lënies së një shenje historike, të rrallë, të papërsëritshme, të betejës së madhe të Koshares. Kjo betejë e lavdishme, e guximshme, përveçse simbolikë e thyerjes së kufirit, ishte dhe motiv triumfi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.

Duke e kujtuar 9 prillin e 1999-s, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se presioni te luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare në pjesë të tjera të Kosovës u ul si rezultat i Koshares.

“Thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe një luftë frontale me forcat serbe, jo vetëm që ka pasur për ne, për të gjitha njësitë e UÇK-së, për rëndësinë e një fronti të ri, por po ashtu e ka pasur edhe një rëndësi të madhe sepse na e ka hequr presionin. Pra, presionin e forcave serbe mbi ne, për shkak se janë detyruar të drejtohen kah ky front”, ka thënë ai.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se në betejën e Koshares, “tytat e shqiptarëve u shndërruan në ferr për ushtrinë serbe”.

“Në historinë e luftërave të ushtrive serbe me shqiptarët, Kosharja është Luma e Dytë (1912), sepse aty, tytat e armëve të ushtarëve të UÇK-së u kthyen në zjarre ferri për ushtarët serbë. Një betejë e tillë integrale dëshmoi se pjesëmarrja e shqiptarëve në çlirimin e tyre kishte mbërritur fazën më të lartë të organizimit”, ka shkruar kryeministri Kurti.

Ai ka rikujtuar se në këtë betejë u përfshinë edhe forcat ajrore të NATO-s dhe ato të ushtrisë së Shqipërisë.

“Në kronologjinë e betejave të UÇK-së, Beteja e Koshares është integrale. Aty, luftëtarë nga të gjitha zonat operative dhe nga të gjitha trevat shqiptare, të ndihmuar nga ushtria e Republikës së Shqipërisë dhe forcat ajrore të NATO-s, luftuan kundër trupave të armatës jugosllave”, ka shkruar kryeministri Kurti në Facebook.

Edhe Krerët politikë bëjnë homazhe në Koshare Arbëri Krerët politikë bëjnë homazhe në Koshare

Kosharja është një nga betejat më të rëndësishme për UÇK-në, ku u vranë 144 ushtarë dhe 170 të tjerë u plagosën. Një nga ish-udhëheqësit e këtij aksioni, Rrustem Berisha, e ka përshkruar atë si betejë të unitetit dhe të sakrificës.

“Beteja e Koshares ishte ideuar dhe planifikuar nga ushtarakët e kësaj beteje dhe dolën të sakta të gjitha parashikimet. Kazerma e Koshares u fut në rrethim të plotë dhe të nesërmen me datën 10 prill në orët e pasdites, forcat tona morën kazermën e Koshares dhe të njëjtën ditë u vendos flamuri shqiptar, i cili valoi deri në përfundimin e luftës. Lufta e Koshares ishte e të gjithëve, ishte betejë e unitetit e sakrificës dhe e fitores së madhe ushtarake, politike dhe diplomatike”, ka thënë ai. Kjo betejë, nga e cila përparoi rezistenca e UÇK-së, u zhvillua nga 9 prilli deri më 10 qershor, duke vrarë 108 ushtarë serbë.