Me rastin e 24-vjetorit të Betejës së Koshares, sot në Koshare u mbajt manifestimi “Ditët e shqipes”. Aty u tha se kjo betejë shënon njërën prej betejave më titanike të luftës për liri gjatë gjithë historisë.
Manifestimi “Ditët e shqipes” të dielën në Koshare mblodhi qytetarë të shumët e liderë të partive politike.
Ata bënë homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare, e kujtuan dëshmorët e rënë.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u quajti atë si njëra ndër betejat më të lavdishme të historisë së UÇK-së.
"Sot me bashkëpunëtorë të Lidhjes Demokratike të Kosovës nderojmë të gjithë heronjtë e rënë 24 vjet më parë më 9 prill, datën e njërës prej betejave më të lavdishme të historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të Koshares. Në betejën e thyerjes së kufirit shqiptaro-shqiptar dhe nisjes së triumfit përfundimtar për lirinë e popullit të Kosovës. Nderojmë të gjithë të rënët, Agim Ramadanin, Agim Çekajn dhe çdo ushtar tjetër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, u shpreh se lufta e Koshares e ka ndryshuar rrjedhën në tërësi të zhvillimeve në Kosovë.
Haradinaj shtoi se dëshmorët e kësaj beteje kanë arritur ta thyejnë kufirin shqiptaro-shqiptar, i cili ishte vendosur nga forcat pushtuese.
"Jemi në vendin ku pushojnë luftëtarët shqiptarë, në vendin që është dëshmi e përpjekjeve të vështira të luftës për liri. Epopeja e Koshares, një luftë mjaft e përgjakshme, ka qenë në atë kohë vendimtare për epilogun e luftës tonë, jo vetëm për luftimet këtu në kufi shqiptaro-shqiptar, por për të gjithë luftën. Pa këtë luftë të Koshares, lufta jonë për liri nuk do të ishte. Për këtë liri i nderojmë dhe të gjallët, i përjetshëm qoftë kujtimi për ta", ka thënë Haradinaj.
Ndonëse munguan në ceremoni, presidentja Osmani e kryeministri Kurti Betejën e Koshares e kujtuan me postime në rrjetet sociale.
“Në këtë ditë kujtojmë me respekt heronjtë e Betejës së Koshares dhe të luftës çlirimtare të UÇK-së. Beteja e Koshares dëshmoi fuqishëm se sakrifica për liri është shumë e lartë, por liria nuk ka çmim”, ka thënë Osmani.
“Sot kujtojmë mëngjesin e hershëm të 9 prillit të vitit 1999, kur ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sulmuan ushtrinë serbe, me qëllim thyerjen e kufirit mes Republikës së Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Aksioni i ushtarëve të UÇK-së kishte tri caqe të pozicioneve të ushtarëve serbë: bazën ‘7 korriku’, Rrasën e Koshares dhe majën ‘Gllava’. Pushkët e shkrepura atë ditë, këtu e 24 vite më parë, nisën luftimet e asaj që tashmë njihet si Beteja e Koshares”, ka shkruar Kurti.
Beteja e Koshares konsiderohet njëra nga më të rëndësishmet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.