KPK-ja përmes një komunikate për media thotë se e ka marrë dhe e ka pranuar me shqetësim reagimin e Ambasadës Amerikane, derisa ka kërkuar të përcaktohen rregulla strikte për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të KPK-së dhe emërimin e kryeprokurorëve.
Më kërkesë të Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni, është mbajtur takimi i 187-të i jashtëzakonshëm, i mbyllur, i KPK-së.
Pas SHBA-së, edhe BE-ja tërhiqet nga procesi i monitorimit në Këshillin Prokurorial
Pikë e vetme e rendit të ditës e këtij takim ishte diskutimi lidhur me reagimin e Ambasadës Amerikane.
Me këtë rast, Këshilli ka marrë dhe e ka pranuar me shqetësim reagimin e Ambasadës Amerikane lidhur me procesin e zgjedhjes së anëtarëve prokurorë të Këshillit dhe kryeprokurorëve. Andaj, pas diskutimeve, anëtarët e KPK-së kanë dalë me përfundimet si në vijim:
Obligohen të gjithë eproret që në rast se informohen për ndonjë ndikim të papërshtatshëm gjatë proceseve të zgjedhjes së anëtarëve prokurorë të KPK-së dhe kryeprokurorëve ta raportojnë të njëjtin, po ashtu ndalohet çfarëdo ndikimi nga eproret gjatë proceseve të cekura me lartë;
Të rregullohet me ligj, nga institucionet kompetente, procedura në atë mënyrë që anëtarët prokurorë të KPK-së të mos kenë të drejtë të aplikojnë për kryeprokurorë gjatë mandatit të anëtarit të Këshillit, dhe anasjelltas;
Anëtarët prokurorë të KPK-së dhe kryeprokurorët do të zgjedhen në bazë të meritokracisë;
Kushdo që do të ndikojë në proceset e vlerësimit dhe votimit për anëtarë prokurorë të KPK-së dhe kryeprokurorë mund të rezultojë me largim nga gara dhe ndërmarrjen e veprimeve ligjore ndaj tyre;
I rekomandohet Ministrisë së Drejtësisë që në afat sa më të shpejtë të ndërmarr veprime drejt ndryshimeve ligjore ku përcaktohen rregulla strikte për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të KPK-së dhe emërimin e kryeprokurorëve.