Arbëri

Kosova ndalon importin e deleve e dhive nga Shqipëria

dele

Ilustrim

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndaluar importin e deleve e dhive nga i gjithë territori i Shqipërisë, për shkak të zgjerimit të zonave të prekura nga sëmundja e murtajës së bagëtive të imta (PPR).

AUV ka udhëzuar komunat që të vendosin masa strikte kufizuese të lëvizjes së bagëtive në kullosat e brezit kufitarë me Shqipërinë. Ndërsa, fermerët që t’i mbajnë bagëtitë nën mbikëqyrje dhe të pengojnë çfarëdo kontakti të kopeve të tyre me kopetë e fermerëve nga Shqipëria.

“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ndryshon masën ndalese se pakohshme, për import të ruminantëve të vegjël Dele dhe Dhi. Nga sot masa e ndalese vlen për gjithë territorin e Shqipërisë. Pas rivlerësimit të situatës, lajmërimeve për konfirmime të rasteve të sëmundjes PPR (Peste des Petits Ruminants) edhe në regjione tjera, AUV ngrit masën kufizuese për tërë territorin e Shqipërisë, me qellim të parandalimit të përhapjes. Duke parë rrjedhën e situatës përveç masës kufizuese në import. Komunat e Kosovës të brezit kufitarë me Shqipërinë, përmes drejtorive të tyre për Bujqësi të vendosin masa strikte kufizuese të lëvizjes se bagëtive të imta në kullosat e brezit kufitarë”, thuhet në njoftimin e AUV-it.

AUV sqaroi se “PPR” është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë. Ajo përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura, ndërsa burim i infeksionit janë sekrecionet dhe jashtëqitjet. Shenjat klinike përfshijnë: temperaturë të lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion të syve, ulje të oreksit, diarre dhe në raste të rënda, ngordhje. Kjo sëmundje nuk është zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik.

“Autoritetet kufitare do të forcojnë kontrollet në të gjitha pikat kufitare dhe zonat e brezit kufitar me Shqipërinë, me qëllim parandalimin e futjes së sëmundjes në territorin e Republikës së Kosovës”, njoftoi AUV.