Arbëri

“Kosova e tëra e Serbisë, duhet dërguar 1000 ushtarë e policë serbë në të”

Foto: AP / ilustrim

Kurrë në asnjë organ, kufizimi ose ndarja e Kosovës nuk është përcaktuar si politikë shtetërore, ka deklaruar për rts ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë Nenad Popoviq, duke shtuar se për këtë arsye ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Jashtëm serb Ivica Daçiq, i cili ka thënë se “ekzistojnë propozime zyrtare për kufizim”.

"Kjo nuk është e vërtetë. Kufizimi kurrë nuk është përcaktuar si politikë shtetërore ndaj Kosovës, ne e kemi Kushtetutën që duhet ta respektojmë si dhe e kemi Rezolutën 1244”, ka thënë Popoviq, transmeton Koha.net

Ai ka shtuar se është ekskluzivisht për respektimin e Kushtetutës dhe të preambulës së saj që thotë se e gjithë Kosova është Serbi.

Popoviq ka thënë se angazhohet për zgjidhje kompromisi dhe se mendimi i tij është që Kosovës duhet dhënë autonominë më të madhe të mundshme, por në kuadër të Kushtetutës së Serbisë dhe Rezolutës 1244.

Ai ka theksuar se kryetari i Rusisë Vladimir Putin ka përkujtuar se Serbia sipas Rezolutës 1244 ka të drejtë që në Kosovë t’i ketë 1000 ushtarë e policë dhe se nga kjo nuk duhet hequr dorë.