“Nisur nga deklarata juaj se Republika e Serbisë nëpërmjet Këshillit Kombëtar të Pakicave garanton më shumë vëmendje të të drejtave të komuniteteve pakicë dhe në kuadër të reciprocitetit të të drejtave të pakicave respektive... dëshiroj t’ju bëj me dije se jeni e mirëpritur në takim për të diskutuar lidhur me zbatimin e modelit të Këshillit Kombëtar të Pakicave, në çdo kohë që ju do të mundeni”, thuhet në ftesën për takim që ministri Elbert Krasniqi ia ka përcjell kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq. “Mbase një model i tillë për të cilin ju krenoheni do të mund të përdorej te ne për të drejtat e pakicave kombëtare, përkatësisht të komuniteteve joshumicë”
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, është duke pritur një përgjigje nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, të cilën e ka ftuar në një takim që për qëllim do të kishte diskutimin mbi modelin e garantimit të lirive dhe të drejtave të pakicave.
Krasniqi e ka sfiduar Bërnabiqin, pasi kryeministrja serbe theksoi se nëpërmjet Këshillit Kombëtar të Pakicave, shteti që përfaqëson përbën model se si garantohen të drejtat e komuniteteve.
“Nisur nga deklarata juaj se Republika e Serbisë nëpërmjet Këshillit Kombëtar të Pakicave garanton më shumë vëmendje të të drejtave të komuniteteve pakicë dhe në kuadër të reciprocitetit të të drejtave të pakicave respektive... dëshiroj t’ju bëj me dije se jeni e mirëpritur në takim për të diskutuar lidhur me zbatimin e modelit të Këshillit Kombëtar të Pakicave, në çdo kohë që ju mundeni”, thuhet në ftesën për takim që ministri kosovar më 13 shkurt ia ka përcjellë kryeministres serbe. “Mbase një model i tillë për të cilin ju krenoheni, do të mund të përdorej te ne për të drejtat e pakicave kombëtare, përkatësisht të komuniteteve joshumicë”.
Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian është arritur marrëveshja që Prishtina zyrtare ta themelojë një Asociacion të komunave me shumicë serbe. Asociacioni nuk është krijuar prej rreth një dekade kur ishte mbërritur dakordimi për këtë, e komuniteti ndërkombëtar ka shtruar trysninë mbi Kosovën që tani ta bëjë këtë. Por, kryeministri Albin Kurti ka theksuar se është kundër një asociacioni njëetnik e me kompetenca ekzekutive, pasi ka konsideruar se një i tillë do ta bosnjëzonte Kosovën dhe do të ishte antikushtetues.
Kurti ka shprehur edhe më herët gatishmërinë për t’ua ofruar serbëve ato të drejta që shqiptarët kanë në Serbi, nëse veç ka ankesa në të drejtat e zgjeruara që për ta garanton Kushtetuta dhe ligjet në Kosovë.
Edhe
Kurti: Serbët lokalë t’i shfrytëzojnë të drejtat e garantuara në Kosovë
Letra e ministrit Krasniqi adresuar kryeministres serbe, është hapur me informatën se më 4 shkurt kryeministri Kurti ka pritur në takim tre deputetë të Kuvendit të Serbisë, përfaqësues politikë të komunitetit boshnjak e shqiptar, e në të cilin është diskutuar rreth të drejtave të komuniteteve joshumicë.
“Përgjatë takimit, deputetët theksuan se janë të pakënaqur me statusin e boshnjakëve dhe shqiptarëve në përgjithësi dhe në veçanti në komunat e Novi Pazarit, Tutinjit e Sjenicës në Sanxhak, si dhe të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit në Luginë dhe kërkuan reciprocitet të të drejtave me pakicën serbe në Republikën e Kosovës”, thuhet në letrën e Krasniqit. “Republika e Kosovës është shtet demokratik i cili garanton të drejtat dhe liritë për të gjithë qytetarët e saj, andaj komunitetet e ndryshme pa dallim trajtohen në kuadër të principeve universale e në harmoni të plotë me standardet e Bashkimit Evropian”.
Komuniteti serb në Kosovë përbën 4 për qind të popullsisë totale. E, sipas ministrit Krasniqi, 10 komunave me shumicë serbe u është destinuar mesatarisht 62 për qind më shumë buxhet sesa 28 komunave të tjera përgjatë 14 vjetëve të fundit.
Në letrën adresuar Bërnabiqit, Krasniqi – i cili vetë i takon një komuniteti joshumicë në Kosovë, ka përfshinë informacione të zgjeruara mbi të drejtat e komuniteteve. Ka theksuar se nga 120 ulëse të Kuvendit të Kosovës, 10 janë të rezervuara për komunitetin pakicë serb si dhe komisionet parlamentare për komunitete dhe për të drejtat e njeriut udhëhiqen nga përfaqësues të komuniteteve joshumicë. Po kështu, ia ka bërë të ditur edhe faktin se komunitetet joshumicë kanë të drejtën e vetos në Kuvend për çdo ndryshim kushtetues, por për legjislacionin vital që prek të drejtat dhe interesat e komuniteteve.
Ka folur edhe për përfaqësimin në Ekzekutiv. Ka theksuar se Kabineti Qeveritar ka 18 anëtarë, 4 prej të cilëve janë nga komunitetet joshumicë, e edhe që një nga 3 zëvendëskryeministrat është po ashtu nga komunitetet joshumicë.
Krahas kësaj, Krasniqi ka shkruar se në Zyrën e Kryeministrit është zyra për çështje të komuniteteve që kontribuon dhe promovon të drejtat e komuniteteve duke siguruar zbatimin e kornizës ligjore dhe përmbushjen e nevojave të komuniteteve. Veç kësaj, në kuadër të Zyrës së Presidentit është Këshilli Konsultativ për Komunitete.
Ai ka dhënë statistika edhe për punësimin.
Edhe
BE: Kurti u zotua se do të konsultohet me serbët dhe me Sorensenin për integrimin e sistemeve paralele
“10 për qind të të punësuarve në administratën publike vijnë nga komunitetet joshumicë dhe në institucionet e sigurisë dhe mbrojtjes janë destinuar kuota të caktuara, me ç’rast komuniteti pakicë serb është i privilegjuar në raport me komunitetet e tjera joshumicë”, thuhet në letrën adresuar Bërnabiqit. “Komuniteti pakicë serb në nivel lokal, përveç të drejtave, ka edhe kompetenca të fuqishme, madje në disa fusha ka kompetenca të njëjta sa qeveria qendrore. Nuk ka asnjë kompetencë që mund të marrë pushteti lokal nga qeveria qendrore që nuk e kanë komunat me shumicë serbe. Në 10 vjetët e fundit, në kuadër të komunave në veri, komandanti i Policisë ka qenë nga radhët e komunitetit serb, i emëruar nga kryeministri”.
Krasniqi ka përmbyllur letrën adresuar Bërnabiqit, duke shprehur besimin se Kushtetuta e Kosovës, por edhe praktikat shtetërore, ofrojnë kushtet më të avancuara në rajon dhe në Evropë për respektimin e të drejtave të komuniteteve pakicë.