Arbëri

Komuna e Prishtinës i subvencionon me nga 3 mijë euro dy familje strehuese të fëmijëve

Familja Ahmeti është njëra prej familjeve, e cila strehon fëmijët pa përkujdesje prindërorë në Prishtinë. Kjo familje ka katër vjet që strehon fëmijë. Gjatë kësaj kohe, familja Ahmeti ka strehuar shtatë fëmijë, ndërkaq tani është duke u përkujdesur për dy, deri sa të gjendet zgjidhje për ata.

Një familje tjetër strehuese është edhe familja Sinani. Kjo familje deri tash, është përkujdesur për tre fëmijë. Aktualisht me këtë familje, qëndron një vajzë, raporton KTV.

Komuna e Prishtinës ka vendosur t’i shpërblejë këto familje me nga 3000 euro, si mirënjohje për punën që e kanë bërë deri tani si dhe për të motivuar përkujdesjen për fëmijët e braktisur.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në një postim në rrjetin social Facebook. Familjet ndërkaq janë të kënaqura për këtë subvencion, por thonë se këtë punë nuk e bëjnë për para.

Ato tregojnë se nuk e kanë aspak të vështirë të kujdesen për këta fëmijë, por sipas tyre, pjesa më e vështirë është ndarja. Këto familje mes tjerash, u kanë bërë apel familjeve të tjera që të mos hezitojnë të strehojnë në shtëpitë e tyre fëmijë të cilët kanë nevojë për dashuri.

Aktualisht, në Kosovë janë 42 familje strehuese, nga këto, 25 janë familje strehuese aktive që kanë në strehim fëmijë pa përkujdesje prindërore, ndërsa 17 familje janë në pritje të fëmijëve. Nga viti 2013 deri në vitin 2019, në strehim familjar alternativ kanë kaluar 398 fëmijë.