Duke u bazuar në situatën e krijuar emergjente dhe gjendjen e paparashikueshme në vijim nga pandemia e koronavirusit, Komuna e Pejës ka vendosur që të ndajë 100 mijë euro mjete emergjente për të menaxhuar situatën e rëndë të krijuar sociale.
Me këto mjete, siç drejtori i Financave, Jeton Abazaj, do të ndihmohen familjet nevojtare me ushqim dhe artikuj sanitare e higjienike. Këto mjete janë planifikuar të barten nga një projekt dhe të transferohen në menaxhimin e situatës emergjente sociale.
“Kanë qenë të planifikuara 200 mijë euro për projektin e ndërtimit të shtegut të ecjes prej Patrikanës deri në Grykë të Rugovës dhe prej kësaj shume do të hiqen 100 mijë euro dhe ato të transferohen në kodin për mallra dhe shërbime, që pastaj të nisin procedurat për të blerë artikujt e domosdoshëm për familjet ne nevojë, në vlerë financiare prej 100 mijë euro”, tha Abazaj për Kohën.
Me këto mjete siç tha Abazaj është planifikuar të blihet ‘miell, vaj, oriz, krip, maj buke, makarona, sheqer, spec e kuqe, vegetë, fasule, pire, qumësht, supë, detergjente dhe sapun’.
Komuna ka planifikuar që këto ndihma nuk do t’i shpërndajë brenda një dite, por kohë pas kohe gjatë kësaj periudhe emergjente sipas nevojës që paraqitet të familjet nevojtare. Drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, tregoi se në rast se kanë nevojë për mjete shtesë prapë do të kërkohen që të ndahen nga buxheti komunal për këtë qëllim derisa të kalohet nga kjo sitat emergjente. Sipas tij, komuna ka një listë të familjeve nevojtare që mund të shkojë deri në 100 sish, përfshirë familje shqiptare dhe të gjitha komuniteteve tjera që jetojnë në këtë komunë. Përfundimtare ende nuk është kjo listë. Në këtë komunë aktualisht janë rreth 1 mijë e 20 familje skamnore që jetojnë nga asistenca sociale. Këto 100 mijë euro ende nuk janë transferuar në kodin e planifikuar pasi ato duhet të marrin miratimin e Kuvendit Komunal, i cili për këtë qëllim ka planifikuar të mbajë të premten një seancë të jashtëzakonshme. Por për shkak të situatës emergjente, nuk është e sigurt që ajo do të mbahet në sallën e Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Pejës, Islam Husaj ende nuk ka vendosur se si do të komunikojmë me anëtarët e kuvendit. Nëse ndryshojnë rrethanat dhe përmirësohet situata atëherë siç tha ai, do të thirret mbajta e seancës në sallën e Kuvendit, duke zbatuar masat mbrojtëse dhe largësia nga njëri tjetri. E nëse situata është e njëjtë atëherë do të provohet të komunikojnë me SKYPE, pasi të gjithë këshilltarët i kanë lap-topat që ua ka dhënë kuvendi për shfrytëzim.
“Por meqë shumë prej tyre nuk dinë si me përdorë SKYPE kanë kërkuar që të mbahet seanca. Por duke pas parasysh gjitha rrethanat edhe vendimin e qeverisë dhe të mos bëhet grumbullimi i njerëzve, si dhe meqë është vetëm një pikë e ditës dhe nuk ka nevojë të diskutohet për atë pikë pasi dihet pse është thirr, ka të bëjë vetëm ne aprovim. E aprovojnë apo jo. Atëherë kam menduar që ndoshta komunikojmë më atë që me anë të email-it, me na i dërgua konfirmimin e tyre a e aprovojnë a jo, dhe ata email-a pastaj do ti ruajmë në arkiv si dëshmi. Deri të enjten në mesditë do ta kemi vendimin përfundimtar për këtë seancë”, tha Husaj.
E përveç këtyre 100 mijë eurove, komunës së Pejës ju ka ofruar të martën si donacion pjesa e mbetur e pakove me miell, qumësht dhe lëngje, që nuk janë shpërndarë të gjithat të hënën nga donatori “Elkos Group-ETC”, i cili për Pejë kishte planifikuar të ndajë 2 mijë pako, prej gjithsejtë 12 mijë sa do të shpërndajë në gjithë vendin. Shpërndarja e këtyre pakove ishte ndërprerë dje për shkak të mos respektimit të mbajtjes së distancës sociale nga ana e qytetarëve.
“Dje nuk kemi arrit me i shpërnda në Pejë të gjitha 2 mijë pakot e parapara dhe tash ja kemi bartë Komunës së Pejës pjesën e mbetur që ata ti shpërndajnë familjeve nevojtare. Të gjitha komunat janë duke u paraqitë me listat e tyre. 12 mijë familje kanë me përfitua dhe janë gjithsejtë 300 mijë kilogram miell dhe nga 24 mijë litra qumësht dhe lëngje”, tha për Kohën, Ramiz Kelmendi, president i “Elkos Group-ETC”.
Komuna e Pejës nga ky donator do të merre, siç tha Petrit Loci, drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, 400 pako me miell, qumësht dhe lëngje. “Me këtë donacion do ta mbulojmë periudhën e procedurave të prokurimit për blerjen e artikujve ushqimor dhe higjienik me ato 100 mijë euro të komunës. Këto artikuj që do të blihen me mjetet e komunës do të mbesin si rezerva të komunës për të ndihmuar familjet gjatë periudhës të situatës emergjente të krijuar nga pandemia e koronavirusit”, tha Loci.
E kjo situatë, siç tha Kujtim Halili nga shoqata humanitare “Gjurmët e Pejës”, ka krijuar raste të reja sociale.
“Aktualisht janë mbi 100 familje që kanë nevojë për ushqim e pako higjienike. Ky numër po rritet çdo ditë për shkak se njerëzit kanë humbur edhe punën nga kjo situatë dhe papunësia ka krijuar raste të reja të familjeve nevojtare”, thotë Halili.