Arbëri

Dhjetëfishohet numri i familjeve me gjendje të rënduar ekonomike në Pejë

Situata e krijuar nga pandemia e koronavirusit është duke rënduar gjendjen ekonomike të qindra familjeve në territorin e Komunës së Pejës.

Numri i familjeve që po u jepen miell dhe artikuj tjerë ushqimorë në formë të ndihmës, është duke u rritur. Listës i janë shtuar edhe familje që deri para pezullimit të shumë aktiviteteve punuese nuk kanë kërkuar ndihma.

“Që vjen puna një ditë të kërkojmë ndihmë prej dikujt tjetër nuk e kam menduar kurrë... Qenka rëndë shumë”, flet në kushte anonimiteti kryefamiljari i një familjeje 5-anëtarëshe në një lagje të Pejës.

Shtimi i numrit të familjeve që nuk arrijnë ta përballojnë krizën, sipas zyrtarëve komunalë, ka ndikuar në dhjetëfishimin e kërkesës për ndihmë, krahasuar me një muaj më parë.

“Jemi duke e përpiluar listën. Përveç atyre familjeve që i kemi në listë, ka edhe familje tjera që janë duke e rritur numrin në atë listë, sepse kërkesat për ndihmë janë rritur. Numri u është afruar një mijë familjeve që kanë nevojë për ndihmë. E kemi pasur listën me rreth 100 familje skamnore deri para shfaqjes së kësaj situate me pandemi të koronavirusit”, ka bërë të ditur drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Petrit Loci.

Të gjitha këto familje nevojtare, Komuna pretendon t’i ndihmojë me 100 mijë euro, të cilat i ka ndarë vetë, ndërsa Kuvendi Komunal i ka miratuar javën e kaluar. Ato, sipas vendimit të Kuvendit, barten prej një projekti të planifikuar për sivjet, në buxhetin emergjent.

“Kanë qenë të planifikuara 200 mijë euro për projektin e ndërtimit të shtegut të ecjes prej Patrikanës deri në Grykë të Rugovës dhe prej kësaj shume do të hiqen 100 mijë euro dhe ato do të transferohen në kodin për mallra dhe shërbime, që pastaj të nisin procedurat për të blerë artikujt e domosdoshëm për familjet ne nevojë, në vlerë financiare prej 100 mijë euro”, ka theksuar drejtori komunal i Financave, Jeton Abazaj.

Sipas tij, komplet shuma prej 100 mijë eurove do të kontraktohet me operatorë me procedurë të negocimit, e jo me procedurë publike të tenderimit.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar falas.