Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Komuna e Pejës akordon buxhet për vënie pengesash në rrugë

Komuna e Pejës ka vendosur të vërë pengesa të gjëra trup rrugës me katër shirita në drejtim të Deçanit. Kjo në frymën e rritjes së sigurisë së këmbësorëve, nga qarkullimi i shpejtë i automjeteve.

Për këtë projekt që pritet të nisë të realizohet së shpejti, siç tregon drejtori i Financave, Jeton Abazaj, janë akorduar 13 mijë euro, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas tij me këtë projekt është paraparë vendosja e gjashtë pengesave të gjëra, jo të zakonshme, nga rrethrrotullimi rrugor prej palestrës së sporteve “Karagaçi” e deri te rrethrrotullimi tjetër rrugor ku lidhet rruga transitore që lidh rrugën nga Prishtina me rrugën për në Deçan, në vendin siç quhet në Pejë te “Rrethi i Ukajve.

“Me këto pengesa duam të bëjmë zgjidhje për sigurinë e këmbësorëve në këtë rrugë që të detyrojmë shoferët ta ulin shpejtësinë”, tregon Abazaj qëllimin e projektit në atë rrugë, e cila ka marrë deri tashti pesë jetë njerëzish nga lëvizja e shpejtë e automjeteve, prej që është zgjeruar ajo rrugë me 4 shirita para 6 vjetësh.

Këto pengesa po vendosën edhe për të rritur njëkohësisht edhe sigurinë e studentëve, pasi kjo rrugë kalon pranë UP “Haxhi Zeka”./Ilir Osmanaj

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Artikuj të ngjashëm