Arbëri

Pas shumë vjetësh me kolona, Komuna e Pejës intervenon te rrethrrotullimi kryesor

Ka më shumë se një dekadë që ngasësit përballën me kolona dhe pritje të gjata rrugëve të Pejës. Tollovi e madhe shkaktohet në rrugën prej udhëkryqit që ndanë rrugën për në spital dhe në drejtim të qendrës së qytetit, e deri te rrethrrotullimi rrugor.

Para dhjetë vjetësh, organizata joqeveritare “Syri i Vizionit” në Pejë, në bashkëpunim me Universitetin e Gentit të Belgjikës kishte bërë matjet e lëvizshmërisë së automjeteve dhe këmbësorëve, dhe kishin identifikuar disa pika që shkaktojnë kaosin e madh në trafik, raporton KOHA.

Njëra prej tyre, ishte rruga prej rreth-rrotullimit që shpije në spital dhe qendër të qytetit dhe ia kishin përcjellë Komunës edhe rekomandimet për format e zgjidhjes.

Për Komunën, ishin këto rekomandime të parealizueshme me buxhetin e saj, prandaj dy vjet më parë vendosi parapete në afërsi të rrethrrotullimit te policia, duke i orientuar këmbësorët në një vendkalim më poshtë, me besimin se e zgjidh problemin e kolonave të gjata të automjeteve, gjë që nuk ndodhi.

Tani Komuna vendosi qe më një projekt tjetër të ndërhyjë në atë pjesë të rrugës, me shpresën që e zgjidh problemin e kolonave të gjata.

Drejtori i Financave, Jeton Abazaj tregoi se edhe pak ditë do të nisin procedurat e tenderimit për këtë projekt në vlerë prej 60 mijë eurosh, i cili parashihet të përfundojë në shtator.