Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rruga Prishtinë-Gjilan pa vendkalim, MI: Zgjidhja do të bëhet vitin tjetër

Për të kaluar në anën tjetër të rrugës, shumë qytetarë detyrohen t’i kapërcejnë rrethojat kështu duke e rrezikuar jetën.

Projekti për rregullimin e kësaj rruge kishte kushtuar 2.5 milionë euro, dhe ishte nisur në kohën kur Pal Lekaj ishte ministër i Infrastrukturës, por që me këtë kosto nuk ishte planifikuar ndërtimi i nën apo mbikalimeve për këmbësorë. E përveç kalimit mbi rrethojat, opsion tjetër për ta është që të ecin gati gjysmë kilometri për të kaluar në anën tjetër.

“Rreziku është shumë i lartë sidomos për këmbësoret, sepse mbasi u kry projekti kanë lan edhe disa detaje të pa kryeme fillu prej një zebre atje që ka qenë fillimisht e hapur për kalimtarë që dojnë me kalu rrugën, por tani e kanë mbyll tash ata duhet me kapërcye hekura, ndërkohë që kerret vinë me shpejtësi teposhtë”, ka thënë Ali Hoxha- qytetar.

“Këtu duhet me pas zebra po qe s’ka, e ma në rregull u kanë me pas, tash larg nalt janë atje po ku me shku nalt atje. Këtu s’bon me kalu se s’mundesh prej kerreve, shumë kerre ka ktu problem, a po sheh vargu pa ndal hiq. Me pas kanë naj nënkalim me ba”, ka thënë Hashim Gashi - qytetar.

Ministria e Infrastrukturës ka thënë për KOHËN që projekti “Zgjerimi i rrugëve nga ura e “Veternikut”, nuk ka mbaruar në tërësi dhe se zgjidhja e problemit të këmbësorëve është planifikuar me një buxhet tjetër, atë të vitit 2021.

“Ministria e Infrastrukturës ende nuk e ka përfunduar në tërësi projektin e zgjerimit të rrugës nga ura e ‘Veternikut’ në drejtim të Graçanicës. Në planifikimin e buxhetit për vitin 2021, Ministria e Infrastrukturës ka paraparë vazhdimin e zgjerimit të rrugës nga Gorenja në drejtim të Graçanicës dhe në kuadër të këtij projekti Ministria e Infrastrukturës do të ofrojë zgjidhje edhe sa u përket vendkalimeve për këmbësorë në këtë segment rrugor. Në këtë segment parashihet të bëhet edhe zgjidhje për këmbësorët dhe është paraparë me buxhet, por varësisht si do të bëhet plani nga Departamenti i Planifikimit, sepse fillimisht bëhet një analizë për ta parë se cila është zgjidhja më e mirë për këmbësorët. Gjithsesi në vitin 2021 do të bëhet një zgjidhje, sepse është planifikuar edhe me buxhet”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Rruga Prishtinë-Gjilan ka frekuentim të madh të qytetarëve, shkaku i bizneseve e qendrave tregtare që janë përreth.

Edhe Shmanget mbikalimi në Prishtinë, qytetarët përdorin shkallë të improvizuara për të dalë nga Qendra në Arbëri Arbëri Shmanget mbikalimi në Prishtinë, qytetarët përdorin shkallë të improvizuara për të dalë nga Qendra në Arbëri

Por, a do të zgjidhet ky problem me ndërtimin e mbi apo nënkalimeve?

Po ashtu, edhe pse ekzistojnë dy nënkalime në lagjen “Kalabria” në rrugën magjistrale për “Veternik” njëri prej tyre nuk shfrytëzohet fare nga qytetarët.

Ata në vend të tij preferojnë ta kalojnë rrugën këmbë në këtë mënyrë.