Edhe pse vetëm katër ditë më parë, në lagjen Veternik një qytetar humbi jetën pas goditjes nga vetura, në momentin kur po e kalonte rrugën, qytetarët kanë vazhduar të rrezikojnë. Të martën, fotoreporteri i KOHËS, Alban Bujari, ka kapur momentin kur disa qytetarë kanë kaluar rrugën në të cilën mungon mbikalimi.
Kjo rrugë ka tetë korsi e në të nuk lejohet qarkullimi i këmbësorëve.

Për shkak të aksidenteve të shumta në pjesën e Veternikut, në vitin 2021 qytetarët kishin nënshkruar peticion duke kërkuar ndërtimin e një mbikalimi, por i cili ende nuk është bërë.
Një vit më herët, më 2020, ishte nënshkruar një memorandum bashkëpunimi mes ministrit të atëhershëm të Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku dhe ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ky mes tjerash parashihej ndërtimi i mbikalimit në “Veternik”. Vlera e këtij projekti parashihej të jetë 1.5 milion euro. Edhe pse tenderi ishte hapur, mbikalimi nuk është ndërtuar për shkak të procedurave tenderuese.
Në fund të vitit të kaluar edhe kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, në mesin e projekteve e ka përmendur mbikalimin në “Veternik”.
Edhe
Edhe një viktimë nga aksidenti në Veternik, mbikalimi i premtuar në letër
Edhe në të kaluarën në këtë aks rrugor ka pasur aksidente me fatalitet. Për të ulur numrin e aksidenteve, Kuvendi ka nisur një iniciativë për të hartuar ligjin e ri për trafik. Kryetarja e Komisionit për mjedis, Fitore Pacolli në emisionin “Sot” në KTV ka thënë se bashkë me Ministrinë e Mjedisit dhe Policinë kanë paraparë ndryshimet nga ligji aktual, duke ashpërsuar gjobat për shkelësit e rregullave në trafik. Ajo ka theksuar se ligji i ri do të parasheh që dënimet të kryhen aty për aty në mënyrë që lëndë të mos shkojnë në gjykata.