Arbëri

Komuna e Gjilanit mbyll vendkalimin për këmbësorë dhe lehtëson qarkullimin e veturave

Ani se është marrë vendimi për të mbyllur këtë vendkalim që lidh dy pjesët e sheshit të qytetit të Gjilanit, vijat e bardha janë ende dhe kalimtarët i shfrytëzojnë ato.

Disa prej tyre kanë reaguar negativisht ndaj ndalimit të qarkullimit.

“Ma merr menja që kish qenë më mirë me ba kështu mbi urë si në Prishtinë, me ba një projekt të ri. Ose nëntokësorë, ose kështu mbi, që me e lidh në përgjithësi dhe me pasë kjo rrugë që është shumë e frekuentume qasje edhe në këtë anë edhe në atë anë”, tha qytetari Visar Ismaili.

“Ti don me kalu. Shenjat e këmbësorëve janë, këndej bllokadë. Çka po dëshirojnë po bëjnë. Ski çka me ba”, tha Sami Isufi, qytetar tjetër.

Por qytetarë të tjerë si Rifat Selimi kanë arsyetuar vendimin e Komunës.

“Sa ishte vendkalimi për qytetarë, shumë e vështirësonin kalimin e automjeteve, d.m.th. kaos ka qenë komunikacioni, sepse një njeri u niske këndej, një andej dhe njëzet vetura a më tepër, kolonë, u detyrojshe me pritë për me kalu. Kështu që prapë mendoj që është pozitive që e kanë blloku”, tha Selimi.

Opozita në Gjilan ka kërkuar që bllokada të hiqet.

“Kjo qeverisje ua ka marrë dorën skandaleve dhe vendimeve të gabueshme dhe kështu është duke vazhduar në këtë mënyrë. E ka marrë një zgjidhje më të keqe të mundshme. Sikur t’i kishin vendosur 20 variante të zgjidhjes së këtij problemi, se edhe unë pajtohem që është problem, edhe me i thanë kryetarit zgjedhe një prej tyre, ai ka shku dhe e ka ba zgjedhjen më të dëmshme si për biznese, si për qytetarë”, tha shefi i Grupit të LDK-së në Gjilan, Avdyl Aliu.

E në Komunën e Gjilanit kanë thënë se veprimi që kanë ndërmarrë është në përputhje edhe me kërkesën e Policisë.

“Ka qenë kërkesë e tyre bllokimi i këtij vendkalimi me arsyen e zhbllokimit të komunikacionit. Vendkalimi më i afërt tjetër është jo më shumë se 30 metra. Ky vendkalim do të jetë i mbyllur dhe nuk planifikohet që të shqyrtohet”, tha Besart Selimi nga Zyra e kryetarit të Komunës së Gjilanit.

Qytetarët dhe opozita kanë kërkuar të shikohen alternativa të tjera, për t’i bërë zgjidhje problemit që këto zebra bënin në komunikacion.