Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qytetarët e opozita në Gjilan kundërshtojnë prerjen e drunjve për projektin 18-milionësh

GJILAN

Preja e drunjve të vjetër në Bulevardin “Ibrahim Rugova” në Gjilan nga komuna që ka nisur punimet në një projekt, po kundërshtohet nga opozita e qytetarët. Opozita në këtë qytet fajëson pushtetin lokal, se projektin e ka nisur pa përfillur procedurat, e në komunë thonë se projekti ka kaluar të gjitha procedurat e nevojshme. Kundër projektit janë shprehur edhe ambientalistët, duke thënë se qyteti edhe ashtu ka shumë pak hapësira të gjelbra

Autore: Ilirjana Thaqi

Fillimi i punimeve në projektin “Bulevardi i Qytetit” në Gjilan ka nxitur reagime të shumta.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Prerja e drunjve të vjetër në bulevardin “Ibrahim Rugova” që konsiderohet prej vitesh si një nga hapësirat më të rëndësishme të gjelbra po kundërshtohet nga qytetarët e opozita në këtë qytet.

“Drunjtë e vjetër m’i heqë, por të rinj m’i mbjellë, se këtu s’ke mund me lëviz në mëngjes prej zogjve”, ka thënë një qytetar për Kohën.

E një tjetër është ankuar se ky projekt do të prishë më së shumti rehatinë e të moshuarve.

“Për pleqtë, për pleqtë është pak keq”, ka thënë një tjetër qytetar.

Por ka edhe qytetarë që e kanë përkrahur projektin.

“Mirë kanë bërë që i kanë hequr, është ndryshuar qyteti, ambienti më  i mirë”, ka thënë një qytetar i Gjilanit.

Opozita në Gjilan ka fajësuar pushtetin lokal se projektin e ka nisur pa asnjë dëgjim publik, pa transparencë dhe pa konsultim me profesionistët, urbanistët, arkitektët apo qytetarët e Gjilanit.

Pjesëtarë të opozitës thonë se ky projekt nuk ka as leje urbanistike që sipas tyre, ngre pikëpyetje për ligjshmërinë e tij.

“Këtu jemi te Bulevardi ‘Ibrahim Rugova’, ku ka filluar degradimi dhe shkatërrimi i parkut të qytetit, me idenë që këtu do të realizohet një investim rreth 20 milionë eurosh. Ne nuk jemi kundër ndërtimit, por mënyra se si po zhvillohet ky projekt dhe mungesa e transparencës është shqetësuese, pasi as anëtarët e Kuvendit e as zyrtarët komunalë nuk janë të informuar plotësisht”, ka thënë asamblisti nga radhët e LDK-së, Gentrit Murseli.

Kritika janë bërë edhe nga AAK-ja.

“Ky është një projekt i cili ka mangësi të mëdha dhe realisht është në kundërshtim me ligjin dhe me praktikat e deritanishme të Komunës së Gjilanit. Fillimisht, ai është pa miratim të Kuvendit Komunal, që është kompetencë ekskluzive e tij”, ka thënë asamblisti i kësaj partie Sokol Haziri.

Por Kushtrim Ibrahimi, drejtor i Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit, ka mohuar pretendimet e opozitës se projekti nuk i ka kaluar të gjitha procedurat e nevojshme.

“Projekti kryesor i Bulevardit, për komunën tonë ka kaluar të gjitha procedurat dhe filtrat paraprakë të nevojshëm, përfshirë edhe procedurat që lidhen me prerjen e drunjve”, ka thënë ai.

Projekti është kundërshtuar edhe nga ambientalistët. Valon Raka ka thënë se Gjilani edhe ashtu ka shumë pak hapësira të gjelbra.

“Duke ditur se Gjilani ka shumë pak hapësira të gjelbra, kjo ka qenë një nga zonat më të zhvilluara me vite të tëra. Kjo situatë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e temperaturave dhe uljen e hapësirave për qëndrim të qytetarëve në hije, sidomos kur kemi edhe rritje të automjeteve dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike. Mbjellja e drunjve të rinj shpesh nuk e kompenson dëmin, sepse duhen dekada që të rriten, prandaj prerja e tyre në këtë rast është një dëm urban dhe ekologjik. Rastet kur drunjtë rrezikojnë sigurinë janë të vetmet që mund të justifikojnë prerjen, por këtu duket se ka pasur alternativa të tjera dhe një plan që mund të integrohej më mirë”, ka thënë Raka.

Projekti Bulevardi i integruar i qytetit parashihet të ketë gjatësi prej 450 metrash, e në të cilën përfshihet ndërtimi i nënkalimit nga Stacioni i Autobusëve deri tek objekti aktual i Komunës.

Në kuadër të këtij projekti kapital do të jetë edhe ndërtimi i parkingut nëntokësor me rreth 500 vendparkingje në dy kate, e që buxhetit komunal do t’i kushtojë 18 milionë euro.