Arbëri

Kolapsi financiar i Prishtinës, punëtorët mbesin pa paga e kompanitë hyjnë në borxhe

Që rreth pesë muaj, kompanitë e transportit publik/privat të Prishtinës kanë hyrë në borxhe në derivatet e naftës e nuk i kanë paguar as pagat e punëtorëve.

Megjithëse u pa si zgjidhje marrëveshja me Komunën e Prishtinës për t’i paguar për kilometra, kompanitë private të transportit publik kanë mbetur në një gjendje mjaft të vështirë.

Në mungesë të buxhetit, Komuna e Prishtinës nuk ka arritur t’i paguajë për 5 muaj me radhë, e në këtë mënyrë po rrezikohet ta ndalin operimin e tyre në kryeqytet.

“Që 5 muaj nuk janë paguar operatorët privatë, kështu që janë në një gjendje të vështirë. Kanë hyrë në borxhe si te derivatet e naftës, si për pagat e punëtorëve, edhe tani ka qenë problem për 3-mujorin se është dashur t’i paguajnë tatimet. Janë duke operuar, por disa janë paraqitur edhe ta ndalin transportin, pra duke menduar se mos po ua qesin jo në këtë muaj jo në atë muaj. Me pikë të zorit janë duke e shtyrë. Komuna thotë se Ministria e Financave nuk po jua qet buxhetin, probleme pra që edhe Qeveria thotë nuk po munden pasi ende nuk është miratuar buxheti. Pra inate që po i qesin para mendjes. Nuk është në rregull t’i bëjnë këto inate për shkak të partive se populli nuk ia ka për borxh që të përballet me këto probleme. Transporti është i nevojshëm”, ka thënë Izet Smajli, kryetar i Shoqatës së Transportit Privat në Prishtinë.

Sipas kryetarit të Shoqatës së Transportit Privat në Prishtinë, Izet Smajli, disa kompani janë drejtuar edhe te përmbaruesi.

“Mund të them se janë diku 400-500 mijë borxh dhe janë edhe tjerat kompani që nuk janë në shoqatë, por këto janë borxhet për rreth 4-5 muaj. Edhe kuleta digjitale e rëndoi situatën sepse sadopak kanë pasur para nëpër dorë, do shitje ndihmonin pak kompanitë, por një pjesë e madhe janë duke e paguar me kartelë. Mund të kesh shumë udhëtarë por 3-4 persona i paguajnë me kesh vetëm. Plus tani janë bërë pa pagesë edhe stafi shëndetësor, edhe stafi administrativ”, ka shtuar ai.

Në një gjendje mjaft të rënduar janë edhe shkollat. Ato rrezikojnë që t’u ndërpritet rryma e të mbesin edhe pa ngrohje.

Drejtori i Arsimit në komunë të Prishtinës, Samir Shahini, ka thënë se të gjitha shërbimet janë duke funksionuar me borxhe. Vetëm te KEDS-i kanë mbi 200 mijë euro borxhe të akumuluara.

“Të gjitha shërbimet si energjia elektrike, materialet, pastrimi e deri te ushqim në kopshte jemi duke funksionuar me borxhe për mosalokim të mjeteve dhe të gjitha këto shërbime janë të rrezikuara dhe janë duke treguar një seriozitet të jashtëzakonshëm pasi kemi bashkëpunim që një kohë të gjatë. Pra po rrezikojmë të ndalen të gjitha shërbimet por kjo nuk po u intereson. Mbi 200 mijë borxhe të akumuluara të KEDS dhe kemi kërkuar si nga ta po ashtu edhe nga operatorët e tjerë kemi një mirëkuptim deri në gjetjen e një zgjidhjeje. Deri më tani kemi gjetur një mirëkuptim por nuk e di sa do shkojë kështu”, ka thënë ai.

Shahini siguron që deri në fund të këtij viti fëmijët nuk do të mbesin pa ngrohje nëpër shkolla, pasi kanë bërë zgjidhje të tjera alternative.

“Deri në fund të këtij viti kalendarik ne konsiderojmë se kemi bërë zgjidhje për të kaluar krizën momentale si pasojë e mos alokimit të buxhetit. Ne kemi furnizime të ndryshme në shkolla të ndryshme, me dru, naftë e pelet. Sa u përket kontratave në naftë ne kemi kontratë dhe po nuk patëm mjete edhe aty mund të ndalet furnizimi. Në shkollat me pelet kemi bërë një zgjidhje të përkohshme përmes drejtorive të tjera dhe shkollat që janë me dru jemi duke bërë zgjidhje të përkohshme me dru”, ka shtuar ai.

Edhe punëtorët e ndërmarrjes “Gjelbër” po përballen me vonesa në marrjen e pagave të tyre.

E për këtë gjendje në të cilën ndodhet komuna e Prishtinës, niveli lokal dhe ai qendror e fajësojnë njëri-tjetrin.

Komuna e Prishtinës vazhdimisht po e fajëson Ministrinë e Financave se po ua bllokon buxhetin e Prishtinës dhe për këtë arsye thonë se janë bllokuar edhe shumë punë në kryeqytet.

“Hekuran Murati edhe sot po mashtron! Ai ka shkelur kushtetutën dhe ligjin për shkak të bllokimit të buxhetit të Prishtinës! Mbi 31 milionë euro, prej të cilave mbi 21 milionë të hyra vetanake të mbledhura gjatë vitit 2025 dhe 10 milionë të grantit qeveritar, Ministria e Financave ia ka bllokuar Komunës së Prishtinës. TURP! Po rrezikohen edhe pagat e punëtorëve në disa ndërmarrje! Por, ne e dimë, ky ka qenë qëllimi i Qeverisë Qendrore, që ta bllokojë Prishtinën, që t'i ndalë shërbimet esenciale ndaj qytetarëve të Prishtinës dhe që t’i lërë pa paga edhe punëtorët e ndërmarrjeve publike, duke tentuar që qeverisjen Rama ta paraqesë si të dështuar!”, ka shkruar nënkryetari Shkëmb Manaj në rrjetin e tij social në Facebook.

Me këtë arsyetim, më 5 shtator të këtij viti, Komuna e Prishtinës ka dërguar në Ministrinë e Financave në Gjykatë Kushtetuese.

Kur po bëhen afër 60 ditë prej kur është dërguar kjo kërkesë, Gjykata Kushtetuese ka thënë për KOHËN se është ende në procedurë të shqyrtimit të kësaj lënde.

Përkundër disa tentimeve, buxheti 2025 nuk ka arritur të kalojë brenda këtij viti.

Përveç buxhetit të vitit 2025, Komuna e Prishtinës nuk ka arritur ta miratojë as projektbuxhetin për vitin e ardhshëm.